Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2024, 93.05% e rasteve penale janë vjedhje

Aktualitet | 2 vite më parë

Një raport i dorëzuar në Kuvend nga Prokuroria e Përgjithshme sjell të dhëna të reja dhe shqetësuese për vitin 2024. Raporti tregon se 93.05% e personave të përfshirë në vepra penale gjatë vitit 2024 janë të lidhur kryesisht me raste të vjedhjeve banale të sendeve me vlerë të ulët.

Me autorizim nga gjykata, Prokuroria ka përgjuar mbi 2000 persona dhe ka prangosur 354 individë. Sipas deklaratave të Prokurorisë së Përgjithshme, veprat penale për të cilat janë përgjuar përfshijnë pastrim parash, korrupsion lidhur me detyrën, krime kundër personit dhe trafikim narkotikësh, siç shënohet në faqen 43 të raportit.

Gjatë vitit 2024, është konstatuar edhe një rritje e procedimeve penale të regjistruara për pastrimin e parave. Në lidhje me veprat penale që kanë të bëjnë me zgjedhjet, gjatë vitit të shkuar janë dërguar për gjykim 8 procedime, me 11 të pandehur dhe 14 persona janë dënuar.

Krimi kibernetik gjithashtu ka shënuar një rritje, pasi janë paraqitur një numër më i madh procedimesh penale në gjykata, me 59 persona të regjistruar si të pandehur.

Raporti tregon se Tirana mbetet me numrin më të madh të procedimeve penale, duke përbërë 35.4% të rasteve, ndërsa Durrësi paraqet 10.3%, Fieri 8.05% dhe Shkodra 7.3%. Në kontrast, Berati, Kukësi dhe Dibra regjistrojnë numra më të ulët sipas të dhënave të raportit.

Nga ana tjetër, janë rritur krimet kundër jetës, falsifikimi i monedhave dhe pastrimi i parave. Sipas raportit, grupet më të prekura janë të varfrit, më pak të arsimuarit dhe meshkujt. Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar janë përfunduar hetimet për 13,374 të pandehur, nga të cilët 10,459 janë dërguar në gjykatë.

Ky raport i gjerë nga Prokuroria e Përgjithshme ofron një pamje të detajuar të sfidave dhe trendeve në drejtësinë penale të vitit 2024, duke nxjerrë në pah nevojën për masa të përmirësuara në sektorin e sigurisë dhe drejtësisë.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme