Raporti vjetor i RTSH për 2024, Hoxhalli: Periudha e raportuar përfshin një fazë tranzitore, probleme me transparencën financiare

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Fatjon Hoxhalli, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, duke theksuar se gjatë këtij viti RTSH ka operuar me 16 kanale televizive dhe 11 kanale radiofonike, duke mbuluar mbi 95% të territorit dhe rreth 80% të popullsisë shqiptare.

Sipas Hoxhallit, mbulimi i sinjalit prej 99.92% e bën RTSH-në “të pazëvendësueshëm në komunikimin publik, veçanërisht në aspektin gjeografik”.

Ai theksoi gjithashtu se periudha e raportuar përfshin një fazë tranzitore, pasi “as Këshilli aktual dhe as drejtoresha aktuale nuk kanë qenë në detyrë gjatë pjesës më të madhe të vitit 2024, ndaj analiza duhet parë në këtë kontekst institucional”.

Raporti vjetor evidenton se zbatimi i rekomandimeve të Kuvendit ka qenë vetëm pjesërisht i realizuar, me disa mangësi në fusha kyçe të qeverisjes institucionale dhe programacionit publik. Megjithatë, janë vërejtur edhe hapa pozitivë në drejtim të transparencës së brendshme, veçanërisht pas publikimit të vendimeve të Këshillit Drejtues që nga korriku 2024.

Në aspektin financiar, raporti pranon se transparenca mbetet e pjesshme, pasi kërkesa e Kuvendit për publikimin e shpenzimeve të Festivalit të Këngës dhe të prodhimeve të pavarura nuk është zbatuar plotësisht.

“Raporti i 2024 tregon qartë se zbatimi rekomandimeve të Kuvendit ka qenë pjesërisht i realizuar më disa mangësi  në disa fusha kyçe të qeverisjes institucionale dhe programacionit publik. Ka pasur edhe disa hapa pozitiv në transparencën e brendshme me publikimin e vendime të këshillit që nga korriku 2024, por sa i përket transparencës financiare kërkesa e Kuvendit për publikimin e shpenzimeve të festivalit dhe prodhimeve të pavarura nuk u zbutuar plotësisht“, tha Hoxhalli.

Hoxhalli bëri të ditur gjithashtu se RTSH është përballur me një numër të konsiderueshëm çështjesh gjyqësore gjatë dy viteve të fundit,  84 në total , të cilat kanë prodhuar ose kanë potencialin të prodhojnë një barrë financiare mbi 200 milionë lekë për institucionin publik.

“Në aspektin ligjor dhe të marrëdhënieve të punës RTSH është përballur me një numër të konsiderueshëm çështjesh gjyqësore, 84 çështje gjatë dy viteve të fundit që kanë prodhuar ose kanë potencialin të prodhojnë një varrë financiare mbi 200 milionë lekë”, tha Hoxhalli.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme