Raportimi i KLP në Kuvend, Bogdani: Nuk ka presion për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, më shumë lobim për të përzgjedhur më të mirin

Aktualitet | 1 vit më parë

Drejtuesja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, ka deklaruar se procesi për emërimin e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) po vijon pa presione nga faktorë të jashtëm. Deklarata u bë gjatë raportimit vjetor të KLP-së në Komisionin e Ligjeve, ku u prezantua bilanci i punës për vitin 2024. Bogdani sqaroi se roli i KLP-së në këtë proces është vetëm formal dhe se pret emrin e përzgjedhur nga SPAK për ta emëruar.

“Ne jemi duke pritur nga Prokuroria e Posaçme të sjellë emrin e personit të cilin do ta rekomandojë sipas ligjit për ta caktuar nga KLP si drejtues. Besoj se është një proces që do përmbyllet së shpejti. Ndoshta mund të jetë momenti që Këshilli të tregojë një rol më aktiv lidhur me procedurën e ndjekur, por roli i Këshillit është vetëm formal. Ne e kemi diskutuar këtë qasje dhe arritëm në përfundimin që nuk mund të dalim jashtë parashikimeve që bën vetë ligjvënësi. Do presim nga komisioni të na sjellë emrin që do rekomandohet nga SPAK dhe ne do ta emërojmë në krye të BKH. Lidhur me drejtuesin e SPAK, ne kemi miratuar kriteret dhe kushtet formale të prokurorëve që kanë aplikuar. Më pas do vijojmë me verifikimin e dosjeve, deri në seancën dëgjimore, intervistën dhe seancën e dëgjimit. Lidhur me çështjen e presionit, më shumë është lobim, ose dikush është më shumë partizan i një rryme, i një qasjeje që ndjek një prokuror në mënyrën si ushtron detyrën e tij. Është më shumë lobim për të përzgjedhur më të mirin sesa presion”, deklaroi ajo.

Gjatë raportimit, Bogdani vuri në dukje se menaxhimi i vakancave në sistemin e prokurorisë ka qenë një nga sfidat kryesore gjatë vitit 2024.

“Jemi përpjekur të marrim masa të menjëhershme përmes emërimeve të përkohshme dhe lëvizjeve të brendshme,” deklaroi Bogdani.

Sipas të dhënave të KLP-së, në vitin 2024 numri i prokurorëve në detyrë ka qenë 218 nga 341 të parashikuar në organikë, çka përfaqëson rreth 64% të kapacitetit të sistemit. Pjesa tjetër ka mbetur e pa plotësuar për shkak të vakancave.

KLP raporton në Kuvend, Staka: Duhet të rritet numri i prokurorëve për të zgjidhur stokun e dosjeve

Anëtari i KLP-së Vatë Staka, e ka vënë theksin te nevoja për rritjen e numrit të prokurorëve, për të adresuar problematikën e stokut të dosjeve. Deklarata u bë gjatë raportimit të KLP-së në Kuvend për veprimtarinë e vitit 2024.

Sipas Stakës, është Prokuroria e Përgjithshme që duhet t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë zyrtare për shtimin e numrit të prokurorëve.

“Pavarësisht se është Prokurori i Përgjithshëm që i drejtohet Kuvendit, KLP ka një bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme. Është kompetencë e Kuvendit. Në reformën e re, 22 prokurorë nuk e ushtrojnë detyrën për ndjekjen penale sepse janë në pozicione të tjera,” tha Staka.

Ai sqaroi se një pjesë e konsiderueshme e prokurorëve janë angazhuar në funksione të tjera institucionale, duke mos ushtruar detyrën në organet e drejtësisë.

“60 janë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Tre jemi këtu, tre janë në zyrë, dhe pesë janë këshilltarë në KLP — bëjnë 11. Ka prokurorë pranë ILD-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Këta janë llogaritur si prokurorë, por në fakt nuk e ushtrojnë detyrën në sistemin e drejtësisë,” u shpreh ai.

Staka bëri të ditur se KLP ka kërkuar në mënyrë informale, por edhe përmes delegacionit të Bashkimit Evropian, që të realizohet një përllogaritje e numrit optimal të prokurorëve në raport me popullsinë.

“Kjo është diçka që nuk e bën vetë Këshilli. Mund ta bëjmë, por mund të cedojmë në cilësi. Prandaj po presim një lloj ekspertize që ta adresojmë njëherë e mirë,” përfundoi Staka.

Arrestimi i avokatit Barjami, KLP: Kemi kërkuar informacion mbi ngjarjen, nuk dalim në përfundim të nxituar
lidhur me arrestimin e avokatit Ulian Barjami në Elbasan, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, ka deklaruar se institucioni që ajo drejton nuk do të shprehet, pa pasur më parë një informacion të plotë mbi rrethanat e ngjarjes. Bogdani tha se është kërkuar informacion zyrtar për situatën, ndërsa vendimmarrja do të vijojë vetëm pas vlerësimit të të dhënave.

“Vendosëm që fillimisht të kërkojmë informacion për situatën dhe më pas të vlerësojmë qëndrimin. Nuk mund të shprehemi pa pasur një panoramë të plotë të ngjarjes. Informacioni në media ishte i kufizuar dhe nuk dëshirojmë të dalim me një përfundim të nxituar pa mbledhur të gjitha të dhënat e nevojshme,” tha Bogdani.

Dhoma e Avokatisë ka deklaruar bojkot pesë ditorë si reagim mbi ngjarjen, teksa Bogdani e vlerësoi këtë qëndrim si pjesë e funksionimit demokratik të institucioneve dhe theksoi se KLP është në pritje të vlerësimit të rrethanave për të vendosur nëse do të mbajë një qëndrim publik për rastin.

“Reagimi nga ana e Dhomës së Avokatisë është demokraci dhe mënyra sesi duhet të funksionojnë institucionet. Ne do të vendosim nëse do të kemi një qëndrim apo jo, jemi në pritje të vlerësimit të rrethanave,” përfundoi Bogdani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme