Rasti i avokatit Ulian Barjami-Hazizaj: Nuk devijoi nga roli i tij, po stigmatizohet avokatia
Avokati Sokol Hazizaj, i ftuar në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi në RTSH1, ka ngritur shqetësime mbi ndikimin e reformës në drejtësi dhe procesit të Vetingut në raportet mes aktorëve të sistemit gjyqësor.
Sipas tij, reforma ka krijuar një prishje të balancës mes palëve në proceset gjyqësore, duke ndikuar negativisht në perceptimin dhe rolin e mbrojtjes ligjore.
“Pas reformës në drejtësi dhe gjatë saj, kur gjyqtarët dhe prokurorët ishin në procesin e Vetingut, ka një prishje të raportit të kaheve në procesin gjyqësor. Nëse gjatë Vetingut kanë pasur emocionet e kalimit ose jo, më pas kjo nuk falet pasi secili ka zënë vendin e tij. Ajo çka konstatohet sot është edhe për shkak të një klime ndaj drejtësisë, ku aktorët e drejtësisë përpiqen ta hedhin fajin në krahun e mbrojtjes, duke e stigmatizuar atë apo duke e treguar me gisht se e keqja është mbrojtja ligjore, duke harruar në themel se procesi i mbrojtjes ligjore apo i avokatisë nuk është proces që lind bashkë me ta,” u shpreh Hazizaj.
Duke iu referuar rastit të fundit në Gjykatën e Elbasanit, ku u arrestua dhe më pas u la i lirë avokati Ulian Barjami, Hazizaj theksoi se mbrojtësi ligjor nuk ka devijuar nga roli i tij, por ka kryer detyrën duke informuar gjykatën dhe organin hetimor për padrejtësitë e mundshme në proces.
“Nuk mendoj se mbrojtësi ligjor në Gjykatën e Elbasanit ka devijuar nga roli i avokatit, përveçse i ka bërë të ditur gjykatës dhe organit procedural të hetimit se ajo që ka ndodhur në themel për të është një proces i padrejtë dhe duhet bërë në raport me aq sa prova ka grumbulluar policia dhe organi hetimor,” shtoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




