Reagime dhe shpresë në Teheran pas fitores së kandidatit të moderuar për president

Botë | 2 vite më parë

Zgjedhjet presidenciale në Iran përfunduan me fitoren e kandidatit të moderuar, ish-kirurgut dhe ligjvënësit Masoud Pezeshkian. Banorët në rrugët e kryeqytetit Teheran shprehin optimizëm pas premtimeve për një zbutje të trysnisë ekonomike dhe të ligjeve të ashpra, si dhe për një perspektivë të re në komunikimin me Perëndimin.

Banorët në kryeqytetin iranian Teheran shprehën reagimet e tyre të shtunën pasi kandidati reformist Masoud Pezeshkian fitoi balotazhin e zgjedhjeve presidenciale.

Pezeshkian fitoi përballë kandidatit të linjës së ashpër Saeed Jalili, duke premtuar se do të përmirësojë komunikimin me Perëndimin dhe do të lehtësojë zbatimin në vend të ligjeve për mbajtjen e detyruar nga gratë të shamisë së kokës, ndërsa Irani ka përjetuar tashmë vite të tëra sanksionesh ndërkombëtare dhe protestash në vend.

Pezeshkian nuk premtoi gjatë fushatës elektorale ndryshime radikale për sistemin teokratik shiit të Iranit dhe e konsideron si arbitër përfundimtar udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei për të gjitha çështjet shtetërore.

Por, edhe objektivat e tij modeste do të sfidohen nga një qeveri iraniane që përbëhet kryesisht nga përfaqësues të linjës së ashpër, nga lufta Izrael-Hamas në Rripin e Gazës, si dhe nga shqetësimet e Perëndimit për pasurimin e uraniumit nga Teherani në nivelet e mjaftueshme për armë bërthamore.

Sipas numërimit të votave të njoftuar nga autoritetet, zoti Pezeshkian fitoi me 16.3 milionë vota, përkundër 13.5 milionë votave të marra nga kandidati tjetër Jalili.

Në total, ministria e Brendshme iraniane njoftoi se 30 milionë njerëz ushtruan të drejtën e votës në këto zgjedhje që u zhvilluan pa monitorim ndërkombëtar.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme