Rebelët Huthi rrëmbejnë anëtarët e ekuipazhit të një anijeje tregtare në Detin e Kuq

Rebelët Huthi kanë marrë peng disa anëtarë të ekuipazhit të një anijeje mallrash në Detin e Kuq, pasi e sulmuan dhe e fundosën atë me raketa dhe dronë.
Anija “Eternity C”, që sipas Huthëve po lundronte drejt një porti izraelit, u godit për tre ditë rresht para se të fundosej të mërkurën.
Si pasojë e sulmit, katër marinarë u vranë, ndërsa gjashtë u shpëtuan nga uji, por më pas u rrëmbyen nga rebelët. Rreth 15 të tjerë janë ende të zhdukur.
Ambasada amerikane në Jemen dënoi veprimin duke e cilësuar si akt terrorist dhe theksoi se rebelët Huthi “vranë marinarët, fundosën anijen dhe më pas rrëmbyen të mbijetuarit, duke penguar çdo përpjekje për shpëtim”.
Ngjarja ndodhi në mes të tensioneve të shtuara në Detin e Kuq, ku rebelët e mbështetur nga Irani kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur anije tregtare, duke kërcënuar sigurinë e lundrimit në një prej rrugëve më strategjike të botës.
Grupi Huthi i Jemenit ka bërë të ditur se e ka fundosur plotësisht anijen “Eternity C”, e cila po shkonte drejt portit Eilat të Izraelit, transmeton Anadolu.
Në një video-deklaratë, zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree tha se anija u godit me një anije pa pilot dhe një raketë balistike derisa lundronte drejt portit Umm al-Rashrash (Eilat).
Ai tha se sulmi erdhi pasi anija dhe kompania e saj operative shkelën bllokadën e vendosur ndaj Izraelit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




