Referencat e reja për banesat, në Korçë synohet përafrimi i çmimeve me vlerën e tregut

Ekonomi | 1 vit më parë

Ministria e Financave ka publikuar për konsultim publik referencat e reja për banesat në të gjithë territorin e vendit, ndarë me qytete, me zona dhe me harta përkatëse.

Bëhet fjalë për Projektvendimin “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “Ndërtesa”, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”.

Projektvendimi paraqet çmimet e reja mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për vlerësimin e vlerës së taksueshme për banesat që ndodhen në të gjitha qarqet përfshirë edhe Korçën, për t’iu përafruar çmimeve reale të tregut.

Kështu, qyteti i Korçës është ndarë në katër zona ku çmimet e referencës së banesave variojnë nga 46 mijë lekë për m2 në 70 mijë lekë për m2.

Sipas agjentit imobiliar në Korçë, Vendim Rapo këto çmime të reja do të sjellin edhe rritjen e çmimeve për shit-blerjen e pronave, por edhe taksat e banesave.

“Deri më tani, qyteti i Korçës ka pasur vetëm një çmim reference. Ka qenë 458 mijë lëkë për metër katror. Tani është bërë mediatike që në qytetin e Korçës do të ndahet në katër zona. Mendoj që me rritjen e çmimit të referencës, do të rritet edhe çmimi i banesave të reja dhe atyre të vjetra. Do të lëvizë tregu në një mënyrë që do të jetë mirë për ato që do të shesin dhe keq për ata që do të blejnë”, tha Vendim Rapo, agjent imobiliar në Korçë.

Këto çmime të reja të referencës së banesave pritet të zbatohen pas përfundimit të periudhës së konsultimit dhe miratimit të projektvendimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme