Reforma Zgjedhore, Celibashi: Financimi aktual i partive ka probleme, rrezikon integritetin e zgjedhjeve. Duhen ndërhyrje të menjëhershme

Politikë | 8 muaj më parë

Kreu i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ilir Celibashi, foli në tryezën e konsultimeve lidhur me ligjin për financimin e partive politike, duke ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si funksionon aktualisht ky sistem në vend.

Sipas tij, sistemi i financimeve të partive përballet me sfida, që rrezikojnë të minojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe funksionimin normal të demokracisë.

“Sistemi i financimeve të partive përballet me sfida dhe mungesë zgjidhjesh, të cilat rrezikojnë të minojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe funksionimin normal të demokracisë. Në vend ekziston një kuadër ligjor për financimin politik, por zbatimi i tij tregon se ky kuadër ka boshllëqe, paqartësi dhe dobësi serioze, prandaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme dhe e gjerë. Problematikat janë evidentuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga vëzhgues të ndryshëm. Realiteti aktual tregon se financimi i partive në vend është një problem kompleks dhe i pazgjidhur. Thelbi i çështjes qëndron te transparenca, llogaridhënia, barazia në garë dhe besueshmëria e publikut”, tha Celibashi.

Celibashi tha se thelbi i çështjes lidhet me transparencën, llogaridhënien, barazinë në garë dhe besueshmërinë e publikut, duke renditur disa nga problematikat kryesore.

“Disa nga problemet kryesore të financimit janë: 1.Mungesa e publikimit dhe transparencës së financimeve të partive politike. Partitë nuk vendosin në dispozicion të dhënat e tyre financiare, çka do të thotë se transparenca realizohet në mënyrë pasive dhe nuk ka akses periodik dhe të drejtpërdrejtë për publikun. 2. Auditimi i partive realizohet në mënyrë formale. Burime administrative shpërndahen mbi subjekte pa aktivitete politike reale dhe konkrete, duke përfituar nga fondet publike. Kontrolli financiar duhet të përqendrohet te partitë me aktivitet financiar real. 3. Konflikti i interesit në pagesën e audituesve përbën një problem serioz dhe lidhet me modelin aktual të auditimit të fondeve të partive. Përzgjedhja e audituesve bëhet nga KQZ, por pagesa e tyre kryhet nga partitë politike që auditohen. Ky model shkakton konflikt interesi, cenon pavarësinë e auditimit dhe dobëson efektivitetin e kontrollit financiar. 4. Kapacitete të kufizuara institucionale dhe mungesë burimesh njerëzore, duke e bërë të vështirë kontrollin dhe auditimin efektiv”, tha Celibashi.

Në përfundim, kreu i KQZ-së apeloi për rishikim të kuadrit ligjor dhe forcim të mekanizmave të kontrollit, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm dhe transparent.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme