Regjistri i pasurive të paluajtshme, nisma synon rritjen e transparencës dhe uljen e evazionit fiskal

Ministria e Financave u ka kërkuar njësive të qeverisjes vendore të zgjerojnë regjistrat elektronikë ekzistues me të dhëna më të detajuara për taksat dhe tarifat vendore, veçanërisht për taksën mbi pasuritë e paluajtshme. Këto informacione duhet të raportohen në Ministrinë e Financave të paktën një herë në vit.
Sipas udhëzimit, regjistrat duhet të pasurohen me të dhëna që përfshijnë kategorinë e pronës (ndërtesë, truall urban apo tokë bujqësore), pronarin, adresën dhe zonën kadastrale, sipërfaqen në metra katrorë, si dhe llojin e përdorimit për banesë apo për qëllime aktiviteti tregtar.
“…duhej ta kishin bërë shumë më përpara. Sa më i mirë të jetë ky regjistër, sa më transparent aq më e lehtë do të jetë për të bërë biznes në Shqipëri, aq më e lehtë do të jetë për të pasur një treg të mirë të strehimit”, thotë kryetari i Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria.
Krijimi i këtij regjistri pritet të ndihmojë edhe në shmangien e evazionit fiskal.
“Mendoj që në një moment që ky regjistër ngrihet do të jetë shumë ndihmë, sidomos për shmangien e deformimeve, që kemi sot, në realitetin apo të ashtuquajturës evazionin fiskal”, thotë Pipiria.
Ai vlerëson se udhëzimi krijon një situatë më të qartë edhe në aspektin fiskal të pronave në vend.
“Në një moment kur të kemi një regjistër kombëtar, të gjithë do të dinë vlerat e pronave, te gjithë do të shkojnë drejt deklarimit të plotë dhe shteti do të ketë të qartë vlerën e pronës dhe pjesën e taksës që do të mbledhë”, thotë kryetari i shoqatës.
Njësitë e qeverisjes vendore mbeten aktorë kryesore në funksionalizimin e regjistrit, i cili nga ana tjetër kërkon trajnimin e stafeve si dhe një mbështetje nga ana e qeverise qendrore.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




