Rehabilitimi i qendrës Kinostudio, miratohen shpronësimet për interes publik

Këshilli i Ministrave ka miratuar shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme private që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio” në Tiranë. Ky vendim, i bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin përkatës për shpronësimet, synon të sigurojë realizimin e këtij projekti me interes publik.
Objekt i shpronësimeve janë pronat e paluajtshme private që preken nga projekti “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”. Shpronësimet bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët do të kompensohen plotësisht në vlerë, sipas masës së përcaktuar në tabelën bashkëlidhur vendimit. Kjo përfshin pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë”, “apartament” dhe “njësi”.
Vlera e përgjithshme e shpronësimeve arrin në 135,729,849 lekë, e cila do të përballohet nga Bashkia Tiranë. Gjithashtu, shpenzimet procedurale prej 70,000 lekë do të mbulohen nga Bashkia.
Shpronësimet fillojnë menjëherë pas publikimit në “Fletoren Zyrtare” dhe pritet të përfundojë brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit.
Pronarët do të kompensohen pasi të paraqesin dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Tiranë. Në momentin e likuidimit, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë brenda 30 ditëve nga miratimi i vendimit.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në përfundimin e procesit të regjistrimit.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoritë Vendore Tiranë Veri dhe Jug, si dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




