Rekord i ri bonusesh/ Ja sa fitoi fituesi i Ligës së Kampionëve 2025/26, Arsenal dhe Bayern “ngushëllohen” me më pak

Liga e Kampionëve e këtij sezoni ka qenë si gjithmonë prestigjoze për pjesëmarrëset, por edhe shumë fitimprurëse pasi janë shpërndarë plot 2.5 miliardë euro.
Siç dihet shuma i takon të gjitha skuadrave dhe vetëm formacionet që kanë ecuri të gjatë mund të arkëtojnë më shumë. Vitin e kaluar Paris Saint-Germain dërgoi në arkat e klubit 144 milionë euro.
Përpara finales të së shtunës në Budapest, kampionët në fuqi kishin fituar pak më pak se 140 milionë euro nga ky sezon i Ligës së Kampionëve. Fitorja e tyre 4-3 me penallti kundër Arsenalit e rriti këtë shumë me 6.5 milionë euro të tjera për mbrojtjen me sukses të titullit të tyre. Për më tepër, ata do të marrin 4 milionë euro shtesë për pjesëmarrjen në Superkupën e UEFA-s (më 12 gusht ndeshen kundër fituesve të Ligës së Evropës, Aston Villa).
Vetëm të shtunën në mbrëmje, PSG e rriti shumën e premios me 10.5 milionë euro, duke e çuar totalin e premios për sezonin 2025/26 të Ligës së Kampionëve në 149.9 milionë euro. Një rekord i ri.
Arsenali e mbylli sezonin me 143.2 milionë euro të arkëtuara. Shifër më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Në sezonin 2024/25, “Topçinjtë” u mposhtën nga skuadra franceze në gjysmëfinale dhe fituan “vetëm” rreth 117 milionë euro. Ndërkohë Bayern, i cili u eliminua në gjysmëfinalet e këtij viti kundër PSG-së, fitoi 127.3 milionë euro nga të ardhurat e Ligës së Kampionëve këtë sezon.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




