Reshjet e dëborës në Shishtavec, Balluku: Ekipet e OSSH në terren për riparimin e rrjetit

Aktualitet | 1 vit më parë

Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura shiu dhe temperatura të ulëta që kanë sjellë sfidat e para të sezonit të ftohtë.

Megjithatë, moti i paqëndrueshëm ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, duke vënë në lëvizje ekipet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke siguruar se ekipet janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për riparimin e rrjetit të tensionit të mesëm që furnizohet nga nënstacioni Rexhepaj.

“Reshjet e dëborës në zonën veriore kanë shtuar sfidat në terren, por gatishmëria jonë është rritur. Elektriçistët janë të angazhuar maksimalisht për të rikthyer energjinë elektrike për banorët, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike,” tha Balluku.

Ndërkohë, edhe në Mirditë, zonat që ndodhen mbi 1000 metra lartësi janë përfshirë nga reshjet e dëborës. Në pjesën tjetër të vendit, moti vijon me reshje shiu, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe në infrastrukturë.

Autoritetet mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo situatë të mundshme, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes në lëvizjet e tyre, veçanërisht në zonat malore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme