Reshjet e shiut sjellin problematika në Qarkun e Shkodrës! Përmbytje banesash, rrëshqitje dherash e bllokim rrugësh

Aktualitet | 1 vit më parë

Reshjet e rëna gjatë 48 orëve të fundit në qarkun e Shkodrës kanë sjellë problematika serioze, duke nisur nga përmbytjet e banesave, të rrëshqitjet e dherave e bllokimet e rrugëve si pasojë e rënieve të gurëve e vërshimeve të ujërave.

Bashkitë Shkodër, Pukë dhe Fushë Arrëz kanë paraqitur disa problematika në disa rrugë si pasojë e rrëshqitjes së dherave, rënieve të gurëve dhe dëmtime të trupit të rrugës. Konkretisht në rrugën Kir-Shosh të bashkisë së Shkodrës, në vendin e quajtur Dardha e Shoshit ka pasur rëniesh gurësh që kanë bllokuar qarkullimin dhe rruga aktualisht është e pakalueshme.

Bashkia Fushë Arrëz është përballur me probleme me furnizimin me energji elektrike në njësitë Iballë, Qafë-Mali dhe Blerim, si dhe janë raportuar dëmtime të ujësjellësave të fshatrave. Aktualisht po punohet me dy fadroma për hapjen e aksit rrugor Pukë–Fushë Arrëz.

Në bashkinë e Pukës, si pasojë e reshjeve të shiut, janë dëmtuar disa rrugë rurale, kryesisht në njësitë administrative Rrapë dhe Gjegjan, ku ka rrugë lidhëse të fshatrave të bllokuara. Rruga nacionale Pukë–Fushë Arrëz është aktualisht e bllokuar në vendin e quajtur Qafa e Batres, si pasojë e shembjes së një masivi dheu. Furnizimi me energji elektrike ka pasur ndërprerje të herëpashershme, ndërsa fshatrat Gjegjan, Dom, Rras, Kuzhnen dhe Gojan i Vogël janë pa energji elektrike (Njësia Administrative Gjegjan).

Gazetari Mirsad Rakaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH24, ka bërë me dije se situata më e përkeqësuar është raportuar në Vaun e Dejës, ku si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Glinës janë përmbytur disa banesa, ndërsa rreth 100 shtëpi të tjera kanë prezencë të ujit.

“Reshjet e rëna gjatë 48 orëve të fundit në qarkun e Shkodrës, kanë sjellë problematika serioze. Situata  më e përkeqësuar ka qenë në Vaun e Dejës në disa fshatra, ku si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Glinës janë përmbytur disa banesa, ndërkohë që rreth 100 banesa kanë prezencë uji në këto momente. Kjo situatë është inspektuar dhe nga përfaqësues të prefekturës së qarkut Shkodër dhe nga kryebashkiaku i Vaut të Dejës Kristian Shkreli. Është punuar gjatë gjithë ditës në terren me pompa thithëse dhe mjete të tjera për largimin e ujit nga banesat. Situata është problematike. Është pranuar nga kryebashkiaku se mosrehabilitimi në kohë i këtij  përroi ka sjellë këtë situatë. Sipas tij, fondet e bashkisë kanë qenë të pamjaftueshme për të ndërhyrë. Një fermë gjithashtu në Vaun e Dejës është përmbytur. Dëmet kanë qenë të konsiderueshme sipas fermerit, kanë ngordhur 15 krerë derra”, deklaroi gazetari.

Ky i fundit theksoi se disa zona, janë përmbytur për herë të parë dhe shkak sipas tij, është bërë pikërisht dalja nga shtrati e përroit. Ai shtoi se, qytetarët janë hasur edhe me mungesë të energjisë elektrike, si pasojë e djegies së transformatorit në fshatrat Ashtë dhe Rranxë.

“Janë disa zona që përmbyten për herë të parë në fakt, dhe kjo ka ardhur si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Glinës.

Ndërkohë që, sa i takon problemeve me furnizimin me energjinë elektrike ka pasur probleme në fshatrat Ashtë dhe Rranxa, si pasojë e djegies së një transformatori dhe banorët vijojnë të jenë pa energji elektrike. Probleme janë raportuar gjithashtu dhe në njësi të tjera administrative Guri i Zi dhe Bërdicë. Prezencë uji dhe përmbytje në këto dy njësi administrative.

Problematika dhe në bashkinë Pukë e Fushë Arrëz, vijojnë reshjet me intenstitet të lartë”, theksoi ai.

Njësitë administrative Gjegjan, Rrapë dhe Qerret janë përballur gjithashtu me rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe vërshime ujërash, çka kanë sjellë bllokimin e rrugëve.

“Raportohen probleme në rrugët rurale në njësitë administrative Gjegjan, Rrapë dhe Qerret. Rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe vërshime ujërash.

Bashkia Fushë Arrëz- prezencë të konsiderueshme ujërash në rrugë, rrëshqitje dherash e rënie rrugësh në rrugët autorurale të kësaj bashkie”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme