Restaurimi i fasadave të pallateve, banorët e Shkodrës e vlerësojnë si ndërhyrje të nevojshme
Pas përfundimit të rikonstruksionit të fasadave të pallateve në akset kryesore të qytetit të Shkodrës, puna po vijon në pallatet në rrugicat dytësore, aty ku së bashku me ndërtimin e fasadave është bërë edhe sistemimi i kabllove të internetit, që ishte një pengesë në çdo hyrje pallatesh.
Projekti i nisur rreth dy vite më parë nga Bashkia Shkodër me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit po shtrihet në të gjithë territorin e qytetit.
Transformimi i pamjes së qytetit në hyrje të Shkodrës shtrihet nga Xhabije përgjatë bulevardit “Mehmet Pashë Plaku” deri në lagjen Perash, dhe në zonën e Rusit. Tashmë puna ka nisur edhe në afërsi të kryqëzimit të degës, jo vetëm pallatet në akset kryesore, por edhe në ato dytësore.
Për banorët ndërhyrje të tilla kanë qenë tejet të nevojshme.
“S’ka gjë më të bukur për mua. Na kanë shpëtuar boll. Kanë dalë në dritë. Kanë qenë zi krejt,” shprehet një banor.
Përveç termoizolimit të fasadave të jashtme përmes sistemit kapot, projekti përfshin edhe hidroizolimin e tarracave, me qëllim përmirësimin e kushteve të banimit dhe efikasitetit energjetik në ndërtesat ekzistuese.
Krahas tyre po bëhet edhe sistemimi i kabllove të internetit, duke i grupuar në kutiza të posaçme me qëllim jo vetëm ndryshimin estetik të pallateve, por edhe evitimin e rrezikut për banorët.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




