Restaurohen kishat e Vodicës, investim i banorëve dhe emigrantëve të fshatit
Kisha e Shën Nikollës dhe ajo e Shën Marisë në fshatin Vodicë të bashkisë Kolonjë po rikonstruktohet.
Është kontribut vullnetar i banorëve aktualë të fshatit, i besimtarëve, si dhe i emigrantëve, të cilët janë bërë bashkë nën emrin e shoqatës “Vodica”.
Aktualisht po punohet në të dyja kishat njëkohësisht, duke nisur me rrethimin e jashtëm, muret e kishës, çezma, si dhe me pikturimin e afreskeve brenda ambienteve të kishës së Shën Nikollës.
Banorët shprehen se është një kishë shumë e vjetër dhe mrekullibërëse, ndaj dhe i janë përkushtuar këtij restaurimi.
“Kontributi ka qenë i gjithë besimtarëve të fshatit Vodicë, si dhe i gjithë Kolonjës dhe i besimtarëve të Shqipërisë që vijnë këtu. Kjo kishë i rezistoi edhe sistemit [komunist]. Mbeti siç ishte në këmbë,” tregon Sokol Tane, një banor.
“Shën Mëria u gjet në një gjendje katastrofale. Me kontributin e një djali të Vodicës u bë çatia e re, e cila kushtoi gati 12 milionë lekë të vjetër. Tashti ne duam të bëjmë ikonostasin. E kemi shpallur si të veprojmë, duke u mbledhur 120 veta nga 100 mijë lekë të vjetër, për të bërë 12 milionë lekë. Janë grumbulluar gati 1 milion lekë deri tashti,” thotë ish-mësuesi Kostaq Pashko.
Restaurimi në mënyrë vullnetare i objekteve të kultit, siç është rasti i fshatit Vodicë, është një shembull për të gjithë ata që duan të investojnë në vendlindjen e tyre.
Kisha pritet të jetë e hapur më 16 gusht.
Gazetare: Jonida Lola
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




