Revolucion digjital në QKB, publikohet projektligj i ri që synon themelimin dhe regjistrimin e biznesit në mënyrë online, pa noter dhe pa radhë

Ekonomi | 1 vit më parë

Shqipëria po përgatitet për një transformim të madh në mënyrën si operojnë bizneset. Një projektligj i ri “Për regjistrimin e biznesit”, i cili aktualisht është në shqyrtim, synon të modernizojë dhe digjitalizojë plotësisht procesin e regjistrimit të bizneseve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), duke e bërë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët e huaj dhe duke i përafruar standardet tona me ato të Bashkimit Evropian.

Sipas relacionit shoqërues, ky projektligj është shumë më tepër se një ndryshim burokratik, pasi ai përmban një sërë risish që do të thjeshtojnë punën e sipërmarrësve dhe do të rrisë transparencën.

Themelimi i biznesit online, pa noter dhe pa radhë

Ndryshimi më i madh dhe më i pritur është mundësia për të hapur një biznes plotësisht online, shkruan rtsh.al. Nëse miratohet ky ligj, themeluesit e shoqërive nuk do të kenë më nevojë të paraqiten fizikisht pranë QKB-së apo të shkojnë te noteri për të hartuar aktin e themelimit dhe statutin.

Në vend të kësaj, QKB do të ofrojë formate standarde dhe të gatshme për këto dokumente, të cilat do të mund të plotësohen dhe firmosen elektronikisht. Kjo jo vetëm që do të shkurtojë ndjeshëm kohën dhe kostot, por do ta bëjë procesin më të thjeshtë dhe më të aksesueshëm për të gjithë, përfshirë edhe investitorët e huaj që dëshirojnë të operojnë në Shqipëri nga distanca.

Integrimi me regjistrat evropianë

Një tjetër element kyç është lidhja e QKB-së me sistemin pan-evropian të ndërlidhjes së regjistrave (BRIS) dhe Portalit Evropian të e-Drejtësisë. Ky integrim do të sigurojë që informacioni për shoqëritë shqiptare të jetë i aksesueshëm nga çdo vend anëtar i BE-së dhe anasjelltas.

Çdo biznes shqiptar do të pajiset me një identifikues unik evropian (EUID), duke e shndërruar NIPT-in shqiptar në një “pasaportë” të njohur ndërkombëtarisht. Kjo do të sjellë një transparencë të madhe dhe do të lehtësojë proceset ndërkufitare, si hapjen e degëve apo bashkimet e shoqërive.

Lehtësi për investitorët e huaj

Ndryshimet, sipas relacionit, lehtësojnë ndjeshëm edhe investitorët e huaj. Përveç regjistrimit online dhe formateve standarde, ligji i ri parashikon edhe dy lehtësira të tjera me rëndësi, duke filluar së pari nga pagesa e kapitalit në bankat e BE-së.

Investitorët e huaj nuk do të detyrohen më të hapin llogari bankare në Shqipëri për të depozituar kapitalin fillestar. Ata do të mund ta bëjnë këtë në një bankë në çdo vend të BE-së, duke shkurtuar kohën dhe burokracinë.

Së dyti është edhe njohja e identitetit elektronik të BE-së. Një shtetas i BE-së do të mund të identifikohet në portalin e QKB-së me kredencialet e veta elektronike, pa pasur nevojë të pajiset me një identitet shqiptar.

Më shumë siguri dhe transparencë

Edhe pse procesi po digjitalizohet, ligji nuk lë pas dore sigurinë. QKB-ja, sipas relacionit shoqërues të projektligjit “Për regjistrimin e biznesit”, do të ketë mekanizma të rinj për të verifikuar vlefshmërinë e nënshkrimeve elektronike dhe për të parandaluar falsifikimin. Nenet e reja parashikojnë rastet e rralla kur, nën dyshimin e abuzimeve, QKB-ja mund të kërkojë praninë fizike të aplikantit. Kjo siguron që lehtësia e digjitalizimit të mos kthehet në një portë për mashtrime.

Në total, ky projektligj shënon një hap të rëndësishëm drejt një ekonomie më të hapur, më transparente dhe më të integruar me tregun e vetëm evropian. Nëse miratohet, ai do të forcojë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion serioz dhe i lehtë për të bërë biznes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme