Rezervimet për fundjavën e Pashkës në Korçë, qyteti mikpret vizitorë nga Shqipëria dhe jashtë saj
Fundjava e Pashkës ka sjellë një fluks të lartë rezervimesh në qytetin e Korçës, i cili për të disatin vit radhazi mbetet një nga destinacionet më të preferuara.
Të shumtë janë ata që duan të përjetojnë atmosferën festive që krijohet në qytet.
Menaxherët e hoteleve shprehen se interesi është i lartë dhe prenotimet janë bërë me kohë.
“Pashka këtë vit ka qenë shumë e kërkuar. Rezervimet janë mbyllur pothuajse që ditën e hënë dhe ende ka kërkesa. Telefoni bie vazhdimisht për kërkesa për fundjavën,” shprehet Elona Xhafa, menaxherja e një hoteli.
“Korça do të jetë plot edhe për Pashkë, kjo për shkak të grupeve të huaja që vizitojnë Korçën,” thotë Eriketa Koçollari, kolegia e saj në një tjetër hotel.
Hotele dhe struktura akomoduese janë rezervuar nga turistë vendas, kryesisht nga Tirana dhe Durrësi, por edhe nga vizitorë të huaj.
“Grupi që presim sot janë të huaj, që janë të mirorganizuar që në fund të janarit me turoperatorë. Kryesisht janë nga Rumania,” tregon znj. Xhafa.
“Në këto data kemi grupe të ndryshme, që vijnë kryesisht nga Bullgaria dhe Kosova, për të shijuar Korçën, por jo veçanërisht për Pashkën,” shprehet znj. Koçollari.
Ndërkohë, një pjesë e mirë e shtetasve shqiptarë kanë zgjedhur që festat t’i kalojnë jashtë vendit, duke përfituar nga ofertat e agjencive turistike.
Korça, si çdo vit, vjen në këtë Pashkë e zbukuruar dhe mikpritëse, duke ofruar një festë të ngrohtë mes traditës, ushqimit dhe atmosferës, që vetëm ky qytet di të krijojë.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




