Riarmatosja e Europës, miratohet ngritja e fondit të huave me vlerën e 150 mld eurove

Botë | 1 vit më parë

Bashkimi Europian miratoi të martën (27 maj) krijimin e një fondi huash me vlerë 150 miliardë euro për të ndihmuar në riarmatosjen e Europës përballë mundësisë së një sulmi nga Rusia në vitet e ardhshme dhe dyshimeve për angazhimet e sigurisë së SHBA-së në kontinent.

Miratimi, nga ministrat e Europës të shteteve anëtare të BE-së, ishte hapi i fundit ligjor për ngritjen e skemës “Veprimi për Sigurinë në Europë”, që parashikon dhënien e huave shteteve anëtare për projekte të përbashkëta në fushën e mbrojtjes.

“Miratuam skemën “Veprimi për Sigurinë në Europë”, programi i parë i madh për investimet në fushën e mbrojtjes në BE. Sa më shumë investojmë në sigurinë tonë, aq më mirë i ndalojmë ata që duan të na lëndojnë”, u shpreh në rrjetin social X Polonia, që ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Ishte Komisioni Europian ai që në fund të marsit propozoi ngritjen e këtij fondi pasi mes udhëheqësve europianë u shtuan dyshimet se nuk ishte më e sigurt se administrata amerikane mund t’i mbrojë nga sulmet.

Të alarmuar nga pushtimi rus i Ukrainës në 2022-in, si dhe frika se ndoshta do të jenë shënjestra e ardhshme e Moskës, vendet e BE-së kanë rritur ndërkohë shpenzimet për mbrojtjen në tre vitet e fundit. Por udhëheqësit europianë thonë se nuk mjafton.

Moska ndërkohë ka dënuar planet për riarmatosjen e BE-së duke e cilësuar nxitje për luftë bazuar mbi një trillim për një kërcënim rus.

Iniciativa europiane ndërkohë synon të thyejë barrierat kombëtare duke financuar projekte të përbashkëta mes vendeve të BE-së si dhe përfshin një element të fuqishëm për blerjen e armatimeve nga kompani europiane me qëllim nxitjen e industrisë së mbrojtjes në kontinent.

Që një projekt të kualifikohet për financim nga “Veprimi për Sigurinë në Europë”, 65 përqind e vlerës së tij duhet të vijë nga kompani me seli në BE, zonën më të gjerë ekonomike europiane ose Ukrainë. Megjithatë, edhe kompani nga vende që kanë nënshkruar një partneritet për mbrojtjen dhe sigurinë me BE-në mund të aplikojnë, nëse përmbushin kushte shtesë.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme