Rikonstruktohet shkolla “Kolë Jakova”, Ristani uron fëmijët: Shkolla moderne dhe rrugë më të sigurta për çdo nxënës

Aktualitet | 5 muaj më parë

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, uroi fëmijët me rastin e 1 Qershorit gjatë një vizite në shkollën e rikonstruktuar “Kolë Jakova”, ku mori pjesë në festën e organizuar nga nxënësit dhe stafi pedagogjik.

Mes atmosferës festive, me shfaqje artistike, këngë dhe aktivitete të ndryshme, Ristani bashkëbisedoi me fëmijët, të cilët po festonin Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në ambientet e reja të shkollës. Gjatë fjalës së saj, ajo i inkurajoi nxënësit të përfitojnë maksimalisht nga kushtet bashkëkohore që ofron shkolla e rikonstruktuar, duke theksuar rëndësinë e arritjeve në mësime, por edhe të lojës, miqësisë dhe gëzimit që duhet të shoqërojnë çdo etapë të fëmijërisë.

“Ju keni vetëm dy detyra. E para është të dilni mirë me mësime. E dyta, dhe kjo është edhe më e rëndësishme, është të bëni qejf, të luani me njëri-tjetrin, të krijoni shokë e shoqe dhe të kaloni bukur kohën si në shkollë, ashtu edhe jashtë saj. Shfrytëzojini sa më shumë fushat sportive dhe ambientet që keni në dispozicion”, u shpreh Ristani.

Shkolla “Kolë Jakova”, e rikonstruktuar së fundmi nga Bashkia e Tiranës, është pjesë e investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën arsimore, që synojnë krijimin e kushteve moderne dhe të sigurta për edukimin e brezave të rinj.

Një ndër prioritetet kryesore të Bashkisë së Tiranës mbetet edhe nisma “Rrugët e Shkollave”, e cila parashikon krijimin e 20 rrugëve të reja dhe të sigurta për lëvizjen e fëmijëve drejt institucioneve arsimore. Projekti synon të rrisë sigurinë rrugore pranë shkollave dhe të sjellë përmirësime të ndjeshme në peizazhin urban dhe cilësinë e jetës në kryeqytet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme