Rishikim i buxhetit, fonde ministrive të reja – Buxheti ka më shumë para se planifikimi, performojnë mirë tatimet dhe doganat

Ekonomi | 1 vit më parë

Aktit normativ për ndryshimin e buxhetit 2025 i shtohen 12.1 miliardë lekë të ardhura dhe 5.7 miliardë lekë shpenzime

Sipas ekonomistit, Mateo Spaho, rritja lidhet me sektorin e turizmit si dhe ecurinë pozitive të administratës doganore dhe tatimore.

“Kjo shtesë është një shtesë inteligjente, sepse nuk është një shtesë me 12 miliardë lekë, sa janë rritjet e të ardhurave, por është gjysma, gjë që do të thotë se shteti shqiptar po mendon për të ulur edhe më tej borxhin publik. Kërkon t’i japë hapësira vetes që të ketë mundësi të zgjerojë borxhin në momente më të vështira”, tha ekonomisti.

Ndryshimet në buxhet parashikojnë 7.6 miliardë lekë shtesë për bonusin dhe rritjen e fondeve për pensionistët.

“Bonusi tregon që situata në buxhetin e shtetit është relativisht e mirë, por është e përkohshme. Nuk kemi garanci që kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, deklaron ai.

Falë kursimeve në interesat e borxhit dhe menaxhimit më të mirë financiar, qeveria parashikon uljen e deficitit buxhetor: -0.2% e PBB-së, nga 2.6% në 2.4%.

“Ky është një element shumë pozitiv, sepse në këtë situatë, pjesa më e madhe e vendeve të Europës kanë tendencën ta rrisin deficitin e tyre. Ky është një performim sipas standardeve edhe teorike të vendeve të sigurta”, nënvizoi ai.

Rialokimet parashikojnë më shumë para për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Është e domosdoshme që bujqësia shqiptare të ketë subvencione dhe është e domosdoshme që këto subvencione të shkojnë tek prodhuesit”, theksoi ekonomisti Spaho.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë parashikohet të jetë përfituesja kryesore nga rialokimet në buxhet, ku mbi 6 miliardë lekë do të shkojnë për projekte infrastrukturore.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme