Roli i prindërve në edukimin e fëmijëve, Myrtollari: I padiskutueshëm! E rëndësishme, mbështetja e specializuar

Në kohët kur arsimi po evoluon me hapa të shpejtë dhe kërkesat për aftësi të reja po rriten dita-ditës, kurset jashtëshkollore po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi.
Të konceptuara si zgjerim i të mësuarit përtej klasës tradicionale, këto programe po ofrojnë mundësi të vlefshme për fëmijët që të zbulojnë pasionet e tyre, të forcojnë aftësitë sociale dhe të përgatiten për sfidat e së ardhmes.
Nga sportet e deri te teknologjia dhe artet, aktivitetet jashtëshkollore po kthehen në një element kyç për zhvillimin gjithëpërfshirës të gjeneratës së re.
E ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri”, në RTSH 1, mësuesja Dhurata Myrtollari thekson se kurset janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar performancën e fëmijëve, sidomos në pjesën kur ata kanë vështirësi në konceptet në shkollë.
Me mbështetjen e institucioneve arsimore dhe komunitetit, kurset jashtëshkollore mund të shndërrohen në një pjesë të pandashme të rrugëtimit arsimor të çdo fëmije.
“Kurset janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar performancën e fëmijëve sidomos në pjesën kur fëmijët kanë vështirësi në konceptet në shkollë. Përveç se është një vlerë e shtuar kurset janë shumë të rëndësishme që fëmijët të ndërtojnë një lloj shoqërie dhe të kalojnë kohën në mënyrë më të organizuar”, u shpreh mësuese Dhurata Myrtollari.
Mësuesja Myrtollari thekson se shpesh herë, në përvojën e saj, është vënë re një prirje për t’u dhënë më shumë rëndësi lëndëve bazë , ndërsa lëndët e aftësive si muzika dhe artet anashkalohen duke theksuar se aktivitetet krijuese janë po aq të vlefshme për mirëqenien emocionale dhe motivimin e nxënësve.
Ndërkohë që roli i prindërve në procesin edukativ është i padiskutueshëm, Myrtollari nënvizon rëndësinë e mbështetjes së specializuar.
“Nga përvoja e mësimdhënies ka mësues që duke i dhënë më shumë rëndësi lëndëve bazë siç janë matematika, gjuha, provimet apo ngarkesa shpesh herë pjesa e lëndëve së aftësive siç janë artet, muzika etj, nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është ajo orë që fëmijët mezi e presin. Lidhja prind fëmijë është e padiskutueshme dhe nuk mund të diskutojmë ndikimin e madh pozitiv të prindërve sepse është i pari që merret me të gjithë ngarkesën por mbështetje të specializuar jep specialisti në momentin që fëmijët nuk kuptojnë ose kanë vështirësi në bërjen e detyrave. E rëndësishme është që fëmija të ndihet mirë dhe ti kuptojë, në momentin që i ka të paqarta njohuritë çdo mësues ka detyrimin parësor t’ia shpjegoj fëmijës, kur fëmija ka nevojë për një shpjegim më të detajuar prindërit i drejtohen kurseve por ama duhet të shikojnë se sa mësimdhënie cilësore u jepet në ato kurse”, u shpreh Myrtollari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




