Rregulla të reja për klasat dhe ngarkesën e mësuesve, zbardhet udhëzimi i ri për arsimin parauniversitar

Arsim | 2 muaj më parë

Ministria e Arsimit ka miratuar ndryshime të rëndësishme në rregulloret që përcaktojnë numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore të punonjësve në arsimin parauniversitar. Përmes Udhëzimit Nr. 16, të firmosur nga zëvendësministrja Orjana Osmani, janë lehtësuar kriteret për emërimin e drejtuesve të shkollave dhe janë ripërcaktuar normat javore për disa kategori mësuesish dhe koordinatorësh.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me pragun e numrit të nxënësve që dikton emërimin e një drejtori shkolle. Sipas udhëzimit të ri, ky prag është ulur, duke përcaktuar se kur numri i nxënësve është më shumë se 60 emërohet një drejtor shkolle, duke zëvendësuar kufirin e mëparshëm prej 80 nxënësish.

Gjithashtu, ndryshime ka edhe në formimin e klasave, ku saktësohet krijimi i tri klasave kur numri i nxënësve është 21–30, dhe i katër klasave kur ky numër arrin në 31–50.

Udhëzimi sjell specifika të reja për ngarkesën mësimore të mësuesve dhe stafeve mbështetëse. Për mësuesit e lëndës së Edukimit Fizik dhe Sporteve, norma javore fiksohet në 21 orë. Ndërkohë, lehtësira në normën mësimore u janë njohur koordinatorëve dhe drejtuesve të ekipeve lëndore:

Kryetarit të ekipit lëndor i ulet norma mësimore me 2 orë në javë.

Mësuesi koordinator i sigurimit të cilësisë do të ketë një normë mësimore prej 6–10 orësh në javë.

Mësuesi koordinator i këshillimit të karrierës do të ketë një normë prej 8–12 orësh në javë.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe menaxhimit të programit “Pas shkolle”, ku drejtuesve u njihet ulje e ngarkesës mësimore bazuar në angazhimin e tyre. Dokumenti zyrtar specifikon:

“Drejtori ose nëndrejtori i ngarkuar me organizimin dhe monitorimin e programit “Pas shkolle”, të ketë ulje në normën mësimore javore në varësi të numrit të grupeve/klubeve 2 orë mësimore në javë, kur institucioni ka deri 4 grupe ose klube; 4 orë mësimore në javë, kur institucioni ka mbi 4 grupe ose klube.“

Përtej këtyre rregullave të përgjithshme, dokumenti saktëson edhe detaje për shkollat me orientim artistik dhe sportiv. Kjo përfshin ndarjen e nxënësve në grupe sipas specifikave (si “Portierët” dhe “Lojtarët” në specialitetin e futbollit, ku grupi i portierëve mund të formohet me jo më pak se 6 nxënës), si dhe rregullimin e ngarkesës për lëndët e veçanta të baletit. Këto ndryshime bëhen të zbatueshme nga institucionet arsimore vendore menjëherë me botimin në Fletoren Zyrtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme