Rrëshqitje masive dherash tek Kodra e Currilave në Durrës, rrezikohen dy pallate, evakuohen banorët
Një rrëshqitje masive dherash ka zgjuar në alarm banorët e dy pallateve në zonën e Kodrës së Currilave në Durrës. Rrëshqitja ka shkaktuar dëme të shumta materiale në zonë, ndërsa banorët shprehen të tronditur nga ajo që ka ndodhur.
Sipas tyre, prej kohësh kanë ekzistuar shenja të paqëndrueshmërisë së terrenit, por situata është rënduar ndjeshëm pas reshjeve dhe lëvizjes së masive të dheut.
Banorët janë evakuuar rreth orës 04:00 të mëngjesit për shkak të rrezikut të shembjes dhe përkeqësimit të situatës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë së Shtetit, specialistë të emergjencave civile dhe punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve komunale, të cilët po monitorojnë zhvillimin e situatës dhe po marrin masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së banorëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se nevojitet një zgjidhje e studiuar dhe afatgjatë për stabilizimin e kodrës dhe shmangien e rreziqeve të ngjashme në të ardhmen.
Ndërkohë, ekspertët pritet të kryejnë vlerësimet teknike dhe gjeologjike për të përcaktuar shkallën e rrezikut dhe masat që duhet të merren për sigurimin e zonës. Situata vijon të mbetet nën monitorim, ndërkohë që në këtë zonë janë shënuar rrëshqitje të shpeshta.
Gazetar: A. Kalemasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




