Rreziku i manipulimit të proceseve zgjedhore me AI, Gonzato: Së shpejti, rregullorja për transparencën dhe reklamat politike

Aktualitet | 1 vit më parë

Bashkimi Europian (BE) e mbështet përdorimin e teknologjisë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por kërkon që modernizimi i sistemit zgjedhore të vijohet edhe me edukimin e zgjedhësve dhe infrastrukturën e posaçme për t’i menaxhuar siç duhet rezultatet.

Në një takim me ekspertë rajonalë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi nevojën për më shumë transparencë në proceset zgjedhore. 

Duke u ndalur te Shqipëria, diplomati i lartë europian vlerësoi faktin që palët politike po angazhohen në formë aktive me reformat.

“Në fakt do të krijohet së shpejti një komision i përbashkët parlamentar për reformën zgjedhore, së bashku me nisma të tjera që kanë për synim për të vlerësuar mjedisin e përgjithshëm, jo vetëm kuadrin ligjor që mund të ndikojë në fushën e zgjedhjeve, siç e ka rekomanduar OSBE-ODIHR. Është kuptuar se ekziston nevoja për t’u përballur me sfidat e së shkuarës dhe të së ardhmes. Ne në BE i mirëpresim të gjithë këta hapa dhe inkurajojmë që të ketë një proces gjithëpërfshirës të bazuar në fakte, të udhëhequr nga OSBE-ODIHR dhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecies.

KQZ ka ndërmarrë hapa të rëndësishme për një analizë pas zgjedhjeve me propozime pë të fuqizuar transparencën, efikasitetit në proceset e ardhshme zgjedhore. Ne i mbështesim plotësisht këto propozime. Reformat zgjedhore dhe digjitale janë pjesë e angazhimeve për t’u bërë shtet anëtar, pjesë e Grupkapitullit 1 – çështjet themelore, dhe kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë te Udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike, ku theksohet rëndësia e zgjedhjeve transparente, qeverisja me llogaridhënie dhe pjesëmarrja e qytetarëve, që janë themelet e BE-së,” deklaroi ambasadori Gonzato.

Sipas tij teknologjitë digjitale po e vendosin këtë hallkë të demokracisë para sfidave, ndaj Brukseli do e ndihmojë Shqipërinë me reflektimin e rreziqeve të reja në legjislacion.

“Digjitalizimi ofron mundësi të mëdha për pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse, transparencën, por sjell edhe cenueshmërinë për manipulim që vjen nga Inteligjenca Artificiale, për dezinformimin dhe keqpërdorimin e të dhënave.

Bashkimi Europian ka krijuar një nga kuadrot më gjithëpërfshirës digjitalë, duke përfshirë ligjin për shërbimet digjitale, ligjin për lirinë e fjalës dhe të medies, ligjin për Inteligjencën Artificiale dhe së shpejti do të kemi një rregullore për transparencën dhe reklamat politike. Këto instrumente nuk krijohen vetëm për rregullimin e tregjeve, por janë krijuar për të mbrojtur qytetarët, për të siguruar konkurrencën dhe për të ruajtur besimin te institucionet, që është thelbësore për proceset zgjedhore,” u shpreh ambasadori europian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme