Rrëzimi i dronëve rus, Polonia mbyll hapësirën ajrore në lindje. Kufizohen fluturimet në kufirin me Ukrainën dhe Bjellorusinë
Një ditë pasi rrëzoi disa dronë rus që shkelën hapësirën ajrore, Polonia njoftoi se do të kufizojë trafikun ajror në pjesën lindore të vendit.
“Trafiku ajror përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe Ukrainën do të jetë i mbyllur për fluturimet civile, me përjashtime të rralla. Kufizimet janë në fuqi deri më 9 dhjetor”- tha në një deklaratë agjencia e kontrollit të trafikut ajror në Poloni duke shtuar se kjo masë po zbatohet për të garantuar sigurinë kombëtare.
Autoritetet polake bënë me dije të mërkurën se hapësira ajrore e këtij vendi anëtar të NATO-s dhe BE-së u shkel 19 herë, ndërsa të paktën tre dronë ruse u rrëzuan, pasi Varshava dhe aleatët e NATO-s ngritën avionë luftarakë.
Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se vendi kërkoi aktivizimin e nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultime urgjente mes aleatëve për të përcaktuar nëse kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e një vendi anëtar.
Duke iu referuar incidentit, ministria ruse e Mbrojtjes e Rusisë tha një ditë më parë se dronët e saj kishin kryer një sulm të madh ndaj objekteve ushtarake në Ukrainën perëndimore, por nuk kishin planifikuar të godisnin asnjë shënjestër në Poloni.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent pas asaj që Polonia e quajti një sulm me dron rus në territorin e saj.
“Pas kërkesës së Polonisë, do të thirret një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore polake nga Rusia”- bëri me dije Ministria e Jashtme polake.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



