Rrëzimi i kërkesave të opozitës për AKSHI-n dhe rrugët, Balla: Kërkesat të formulohen në përputhje me Kushtetutën, Kuvendi nuk ndërhyn në pushtetin gjyqësor

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dalë sot për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, ku mazhoranca rrëzoi kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe për investimet në rrugë. Opozita kishte kërkuar këto komisione me argumentin se duhet të hetohet funksionimi i këtyre institucioneve, duke përfshirë proceset e prokurimit dhe sigurinë kibernetike, si dhe pasojat për shpenzimet e mëdha publike.
Në fjalën e tij para gazetarëve, Balla u shpreh se mazhoranca vendosi që të mos miratojë kërkesat e opozitës, duke shtuar se nëse opozita nuk di t’i formulojë kërkesat në mënyrën që e kërkon ligji, Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, është gati të ofrojë ekspertizë për këtë qasje. Ai theksoi gjithashtu se komisionet hetimore nuk duhet të shndërrohen në “ekspeditë peshkimi” dhe se çdo kërkesë duhet të fokusohet në çështje konkrete dhe të përcaktuara qartë, sipas rregullave kushtetuese dhe proceduriale.
“Viti 2003 kur Gjykata Kushtetuese me 2 vendime pasuese 20, 21 dhe vendimet e tjera, është sqaruar shumë qartë se kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore duhet të respektojnë disa paritme. Parimi I parë është parimi I së drejtës të pakicës parlamentare, por përmbajtja e kërkesës duhet parë në këndvështrimin që ka kufizime sa i përket përmbajtjes, duhet të jetë në përputhje me kushtetutën, që komisioni hetimor të mos mbivendoset me pushtetet e tjera i referohem pushtetit gjyqësor dhe që kërkesa të fokusohet në një çështje të veçantë.
Komisioni hetimor nuk duhet të jetë një ekspeditë peshkimi, ku hajde nisemi shohim çka dhe po peshkuam ndonjë gjë…
Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka thënë që duhet të vish me çështje konkrete.
Kërkesa e parë që u shqyrtua në rend dite ishte kërkesë e cila sipas një kolegeje të opozitës do hetohet nëna natyrë sepse ka sjellë shumë shi, edhe në trajtë shakaje kjo. Ndërkohë që thuhet të hetohen gjithë procedurat nga 2014-2025 ndërkohë që nuk kishte asnjë çështje specifike.
Çfarë duhet hetuar? Mënyra e prokurimit? Dakord por hajde sille”, deklaroi Balla.
Balla theksoi se mazhoranca mbështet plotësisht autoritetet e prokurorisë në hetimet që ata kryejnë, duke shtuar se Kuvendi nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit gjyqësor në raste ku hetimet janë nën juridiksionin e drejtësisë penale. Ai nënvizoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë rreth kushteve të krijimit të komisioneve hetimore dhe se kërkesat e opozitës përfshijnë çështje të përgjithshme dhe jo specifike, duke bërë të vështirë miratimin e tyre.
Gjithashtu, kreu i grupit socialist theksoi se “dëshira për të shqyrtuar kërkesat e opozitës është e palimituar”, por që ato duhet të paraqiten në një formë që i përmbahet ligjit, kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të garantuar bashkëpunimin institucional dhe integritetin e procesit parlamentar. Për më tepër, ai bëri të qartë gatishmërinë për të ndihmuar në formulimin e kërkesave në një mënyrë që të jetë e pranueshme ligjërisht dhe procedurialisht brenda Kuvendit të Shqipërisë“.
Kjo deklaratë vjen ndërsa opozita, përmes Gazment Bardhit, ka kërkuar ngritjen e komisioneve për kontrollin e ligjshmërisë dhe transparencës së prokurimeve në AKSHI‑n dhe për procedurat e ndërtimit të rrugëve, duke argumentuar se funksionimi i këtyre institucioneve duhet të jetë transparent për publikun dhe për sigurinë kombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



