Rrëzohet helikopteri i lajmeve në Los Angeles, humbin jetën 3 persona

Botë | 2 orë më parë

Tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë dërguar në spital pasi një heikopter lajmesh u rrëzua mbrëmjen e së martës (15 shtator) në periferi të Los Angelesit. Helikopteri ishte NewsChopper4 i televizionit NBC Los Angeles, i cili operonte gjithashtu për Telemundo 52. Ekipi ndodhej në zonën e Chatsworth për të raportuar mbi një aksident vdekjeprurës me autobus, kur helikopteri u rrëzua. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit (LAFD), helikopteri u rrëzua mes dy ndërtesave tregtare në Chatsworth. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të personave që ndodheshin në bord dhe identitetet e viktimave nuk janë publikuar. Përplasja shkaktoi zjarr, i cili u përhap në katër automjete dhe dy kontejnerë magazinimi. Mbi 70 zjarrfikës u angazhuan në operacionin e emergjencës. Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në NBC4, prezantuesja veterane Colleen Williams konfirmoi se helikopteri i rrëzuar ishte i televizionit.

“E dinim që ishte një lajm i madh. E dinim që kishim humbur kontaktin me njerëzit tanë atje dhe sapo morëm konfirmimin”, tha Williams.

Kapiteni i LAFD-së, Branden Silverman, tha se një person ishte gjetur jashtë helikopterit pas rrëzimit dhe ishte shpallur i vdekur në vendngjarje. Në momentin e incidentit, në zonë ndodheshin disa helikopterë lajmesh, të cilët po raportonin për një tjetër ngjarje tragjike në Chatsworth. Më herët gjatë së njëjtës ditë, dy persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën pasi një automjet tip SUV u përplas me një autobus të qytetit në këtë zonë. Policia e Los Angelesit shprehu ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe kolegët e stafit të KNBC 4.

Kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, tha se ishte “absolutisht e shkatërruar” nga humbja e jetëve dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të të dyja ngjarjeve. Edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shprehu ngushëllimet për viktimat, familjet e tyre dhe stafin e NBC4, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për shkaqet e rrëzimit të helikopterit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme