Rrëzohet kërkesa e PD për mocion me debat për programin e qeverisë, Balla: E dogjët mundësinë. Zbatoni rregulloren dhe mos sillni thashetheme

Mazhoranca ka rrëzuar me 73 vota kundër kërkesën e demokratëve për zhvillimin e mocionit me debat publik mbi prioritetet e shpallura të qeverisë mbi programin qeverisës dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit.
Gjatë diskutimit në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi se mocionet janë instrumente të kontrollit parlamentar dhe nuk mund të përdoren jashtë kuadrit rregullator.
Sipas tij, opozita kishte pasur mundësi të zhvillonte një diskutim më 18 shtator, por e kishte “djegur” atë moment.
Balla akuzoi PD se është ajo vetë që nuk kërkon të bëjë debat dhe sjell kërkesa që nuk janë në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
“Rregullorja e Kuvendit, sa i përket mocioneve, është e qartë. Ato janë pjesë e instrumenteve të kontrollit parlamentar. Sa i përket kërkesës suaj për të pasur një bilanc të qeverisë nga viti 2013 deri në 2025, kjo nuk është një çështje e veçantë. Në 12 vite kemi bërë aq shumë punë, sa jemi të gatshëm për debat. Por, përveç kësaj, duan edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me programin politik të qeverisë për periudhën në vijim. Ta themi troç, ju e dogjët mundësinë për të bërë një diskutim më 18 shtator, dhe tani kërkoni ta rikthejmë sërish pas. Ne nuk kthehemi dot pas, ecim vetëm përpara.
Mund të bëjmë një mocion me debat për çështje që lidhen me rrugën tonë evropiane dhe procesin e anëtarësimit në BE. Kërkohet gjithashtu që të diskutojmë për efikasitetin e qeverisjes, që lidhet edhe me integritetin e ministrave të emëruar, për çështjet që prekin kriminalizimin e jetës politike, besimin e qytetarëve dhe marrëdhëniet e shtetit me partnerët ndërkombëtarë.
Është e qartë që ju keni një përpjekje, por duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. E kuptoj që i sillni kërkesat vetë, të shtrembëruara dhe të pabazuara në rregullore, sepse vetë nuk doni të bëni debat. Unë nuk pranoj asnjë kërkesë që bie në kundërshtim me rregulloren”, tha Balla.
Balla theksoi se mazhoranca është e gatshme të miratojë çdo kërkesë të opozitës që respekton rregulloren e Kuvendit dhe nuk përfshin, siç u shpreh ai, “thashetheme nga tavolinat e Shqipërisë”.
“Ne nuk duam që ju të vuani ato që kemi vuajtur ne në opozitë, kur nuk mund të merrje fjalën pa mbajtur rregulloren me vete. Këto kërkesa ose bien sipas rregullores, ose nga ky krah nuk do të keni asnjëherë dakordësi. Jemi të gatshëm të miratojmë çdo kërkesë që vjen nga ana juaj, që bazohet në rregullore dhe nuk sjell këtu thashetheme nga tavolinat e shqiptarëve”, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




