Rriten divorcet në qarkun e Korçës, vështirësitë ekonomike e konfliktet familjare, shkaqet kryesore

Sociale | 6 muaj më parë

Numri i divorceve në qarkun e Korçës ka pësuar rritje, duke reflektuar problematika të shumta sociale dhe ekonomike me të cilat përballen familjet.

Sipas avokatit Esmerald Xhafa, pjesa më e madhe e kërkesave për zgjidhje martese paraqiten nga gratë, të cilat shpesh përballen me vështirësi të theksuara në jetën familjare.

“Në vitin 2025 janë regjistruar gjithsej 674 kërkesa për zgjidhje martese. Ky numër i lartë lidhet edhe me faktin që Gjykata e Shkallës së Parë me juridiksion të përgjithshëm në Korçë trajton gjithashtu edhe çështjet që i përkisnin më parë Gjykatës së Pogradecit. Si pasojë, vihet re një rritje e numrit të kërkesave.

Sa i përket vendimeve të dhëna gjatë vitit 2025, gjykata ka dhënë 399 vendime për zgjidhje martese. Ndërkohë, vetëm në tremujorin e parë të vitit janë regjistruar rreth 97 vendime për zgjidhje martese”, tha Xhafa.

Xhafa thekson se faktorët ekonomikë mbeten ndër arsyet kryesore që ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve, duke sjellë tensione dhe konflikte të vazhdueshme mes partnerëve.

Mungesa e të ardhurave të qëndrueshme dhe kostot në rritje të jetesës po ushtrojnë presion mbi familjet, duke çuar në raste të shumta deri në zgjidhjen përfundimtare të martesës.

“Këto raste lidhen kryesisht me probleme ekonomike, të cilat me kalimin e kohës reflektohen edhe në marrëdhënien mes bashkëshortëve. Vështirësitë financiare shpesh shndërrohen në mospërputhje karakteri, debate të vazhdueshme dhe mosdakordësi lidhur me mënyrën e jetesës, duke ndikuar drejtpërdrejt në prishjen e marrëdhënies bashkëshortore”, nënvizoi ai.

Më tej, avokati shpjegon se mungesa e komunikimit dhe e mbështetjes reciproke mes bashkëshortëve përkeqëson situatën, duke e bërë më të vështirë zgjidhjen e problemeve brenda familjes.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme