Rriten eksportet shqiptare – “Made in Albania” më konkurrues, forcohen lidhjet e tregtisë me fqinjët
Ekonomia shqiptare po jep sinjale pozitive përmes rritjes së eksporteve, të cilat në muajin mars arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky trend pozitiv pasqyron rimëkëmbjen e disa sektorëve kyç të prodhimit vendas, veçanërisht atë të mineraleve, energjisë dhe tekstileve.
Treguesit për tremujorin e parë janë gjithashtu inkurajues: eksportet janë rritur me 4,7%, ndërkohë që importet kanë shënuar një rënie prej 3,5%.
Rritja e eksporteve drejt Kosovës (+83,1%) dhe Greqisë (+13,2%) tregon për forcimin e lidhjeve tregtare rajonale dhe konkurrueshmërinë në rritje të produkteve shqiptare.
Megjithatë sfidat mbeten të pranishme.
Deficiti tregtar për marsin është ende i lartë, me 39 miliardë lekë, dhe ndonëse është ulur me 6,5% në krahasim me vitin e kaluar, ai është rritur ndjeshëm krahasuar me muajin shkurt.
Rënia e eksporteve drejt Italisë dhe Maqedonisë së Veriut tregon nevojën për zgjerimin dhe diversifikimin e tregjeve të jashtme.
Ekspertët sugjerojnë që për të përfituar plotësisht nga momenti pozitiv në eksport, Shqipëria duhet të investojë më shumë në kapacitetet prodhuese dhe në mbështetjen e sektorëve me potencial të lartë eksportues, duke synuar uljen graduale të varësisë nga importet.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




