Rriten investimet e huaja, 92 milionë euro më shumë se viti 2023

Ekonomi | 1 vit më parë

Viti 2024 rezultoi pozitiv për sa i përket investimeve të huaja në Shqipëri, duke kapur shifrën e mbi 1,5 miliardë eurove.

Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me 2023-shin këto investime janë rritur me 92 milionë euro. Por ekspertët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar për të mbajtur këtë trend rritës gjatë viteve në vazhdim, duke marrë parasysh situatën që po kalon vendi.

“Kemi nevojë për krahë pune të huaj. Nuk kemi një rritje të popullsisë në ato ritme që t’i bëjmë ballë kërkesës që ka në treg. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nëse duam të mbajmë një ritëm në rritje të investimeve të huaja, duhet të bëhemi tërheqës ose të vazhdojmë të jemi atraktivë,” shprehet eksperti Gent Beqiri.

Sektori kryesor është ai i pasurive të paluajtshme me 379 milionë euro, i ndjekur nga industria nxjerrëse me 214 milionë euro, si dhe energjia elektrike me 166 milionë euro investime.

Megjithatë sipas ekspertit, vendi ynë ka akoma problematika, që krijojnë klimë pasigurie tek bizneset e huaja.

“Të përhershmet tona janë patjetër drejtësia dhe prona, zbatimi i ligjit, transparenca, ineficienca e administratës publike, ndryshimet e shpeshta të ligjeve për sa i përket aspektit fiskal,” shton z. Beqiri.

Vendet që kanë investuar më shumë në Shqipëri janë Holanda, Italia dhe Turqia.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme