Rritet bursa ALPEX me 42%, 369 milionë euro transaksione energjie gjatë 2025
Bursa Shqiptare e Energjisë ALPEX ka shënuar një rritje të ndjeshme përgjatë 2025. Volumet e tregtuara të energjisë në bursë regjistruan një rritje prej 42.46% krahasuar me një vit më parë.
Në raportin vjetor të ALPEX vërehet se vlera totale e transaksioneve të blerje-shitjes së energjisë arriti në 369.46 milionë euro, ndërsa çmimi mesatar u regjistrua në 118.38 €/MWh.
“Kjo rritje tregon zgjerimin e tregut të energjisë dhe rritjen e pjesëmarrësve në bursë. Ajo sinjalizon gjithashtu edhe rritjen e besimit tek tregtimi, tregu i organizuar dhe transparenca e tregut”, tha eksperti Gordani.
Sipas ekspertit Gordani, çmimi mesatar flet për kushtet e tregut rajonal si dhe ndikimin e kërkesës dhe ofertës për energjinë.
“Ai është një tregues i stabilizimit relativ të çmimeve, krahasuar me periudhën e krizës energjetike në Evropë”, tha eksperti.
Roli i ALPEX, sipas Gordanit, ka sjellë rritje të fleksibilitetit dhe konkurrencës në tregun rajonal të energjisë.
“ALPEX ndihmon në lidhjen e tregjeve, në këtë rast atë të Shqipërisë me Kosovën dhe rajonin, pra përmes platformave të përbashkëta të tregtimit”, tha ai.
Gjithashtu, Gordani thekson se funksionalizimi i ALPEX po mundëson një balancim më të mirë të energjisë në kohë reale, duke integruar burime të ndryshme të energjisë.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



