Rritet fluksi në portin e Sarandës, 15 mijë pasagjerë më shumë krahasuar me një vit më parë

Turizëm | 59 minuta më parë

Prej muajit janar dhe deri në fund të muajit gusht, porti i Sarandës ka njohur një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë regjistruar rreth 15 mijë pasagjerë më shumë, duke reflektuar një sezon turistik më të gjallë dhe me interes në rritje për këtë destinacion bregdetar.

Sipas përgjegjëses së përpunimit të pasagjerëve, Hatixhe Ismaili, rritje ka pasur jo vetëm në numrin e udhëtarëve, por edhe në hyrje-daljet e mjeteve detare. Numri i kroçerave, anijeve turistike si dhe mjeteve luksoze, si jahtet, është shtuar ndjeshëm, duke dëshmuar për një profil më të lartë të turizmit në Sarandë.

Kemi një rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar, diku te rreth 15 mijë pasagjerë më shumë. Ndërsa numri i kroçierave dhe i jahteve turistike është rritur ndjeshëm. Për shembull, në qoftë se vjet ishin 41, sivjet janë 50 kroçiera, pra 9 më shumë. Edhe jahte, veliera ose mjete lundruese luksi, siç i quajmë ne, vjet ishin rreth 260, ndërsa sivjet ishin diku te 300”, u shpreh Ismaili.

Fluksi i pasagjerëve dhe i mjeteve turistike, sipas Ismailit, vijon edhe gjatë muajit shtator dhe pritet të mbetet i lartë deri në fund të muajit tetor. Kjo tendencë konfirmon zgjatjen e sezonit turistik dhe rritjen e interesit për Sarandën edhe përtej muajve tradicionalë të verës.

Për muajin e shtatorit, në të cilin jemi futur, vazhdon akoma rritja e fluksit të pasagjerëve. Edhe vetë lëvizjet nga brenda Shqipërisë dhe largimi që bëhet nëpërmjet Portit të Sarandës na krijojnë premisa që do të kemi punë deri nga fundi i tetorit, ashtu siç ka qenë edhe vjet, bile edhe pak më shumë”, tha ajo.

Rritja e ndjeshme e numrit të pasagjerëve dhe e mjeteve turistike në portin e Sarandës gjatë këtij viti konfirmon një sezon të suksesshëm dhe një interes në rritje për këtë destinacion. Zgjatja e fluksit edhe gjatë muajve të vjeshtës tregon se Saranda po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një pikë e rëndësishme turistike në jug të vendit, duke tërhequr vizitorë jo vetëm në kulmin e verës, por gjatë gjithë sezonit.

Gazetare: B.Gjyli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme