Rritet shitja e apartamenteve gjatë verës, bregdeti kryeson kërkesën ndërsa qendra e Tiranës mbetet tregu më i shtrenjtë
Tregu i pasurive të paluajtshme po njeh një rritje të shitjeve gjatë sezonit veror, veçanërisht në zonat bregdetare.
Sipas të dhënave të sektorit, interesi shtohet si rezultat i fluksit të turistëve të huaj dhe kthimit të emigrantëve shqiptarë për pushime, të cilët shfrytëzojnë këtë periudhë edhe për të investuar në prona.
“Midis muajit maj dhe tetor është periudha kur ka akoma më tepër turizëm në Shqipëri dhe bashkë me turistët që vizitojnë Shqipërinë rikthehen ata të cilët dikur kanë qenë turistë, por sot janë blerës potencialë apo blerës të konfirmuar dhe sidomos pjesa e bregdetit”, tha Reinaldo Pipirjas, Drejtor Ekzekutiv, NAREA.
Në Tiranë, zonat me çmimet më të larta vijojnë të jenë qendra e qytetit dhe pjesa pranë liqenit artificial. Ndërkaq, Paskuqani mbetet një nga alternativat më të përballueshme për blerësit falë ofertave me kosto më të ulët, të cilat arrijnë deri në 1.000 euro.
“Qendra e Tiranës është pjesa e Bllokut, pjesa e liqenit, pra e digës së liqenit, e Rrugës së Kosovarëve në Tiranë. Ne gjejmë aktualisht produkt që e arrin 4.500 euro metrin katror. Zona e QTU-së dhe zona e Paskuqanit mund të gjesh hapësira banimi që janë 1.000-1.100”, tha ai.
Sipas Reinaldo Pipirjas, çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë rritur, por jo aq sa perceptohet, po të kemi parasysh zhvlerësimin e euros.
“Po flasim për një çmim dhe një monedhë euro që sot është 92.5, mesatarja 93. Ndërkohë që kur kthehemi pesë vite më herët, mesatarja e kursit të këmbimit të euros ka qenë 20.76, të paktën sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë. Sot e kemi 92.5-93”, tha ai.
Gazetar: H. Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




