Rritja e çmimit të biletës për dy linjat në Kamëz, Memaj: Shkak, mungesa e subvencionit. Nevojitet ndërhyrje në infrastrukturë

Aktualitet | 12 muaj më parë

Udhëtarët e linjave të autobusëve Kamëz-Tiranë dhe Paskuqan-Tiranë do të paguajnë 10 lekë më shumë të biletës, nga 40-të në 50-të lekë.

Po ashtu, është miratuar dhe rritja e abonesë vjetore, nga 1200 në 1400 lekë, një ndryshim prej 17% që prek vetëm këto dy linja.

Dashnor Memaj, kreu i Shoqatës së Transportit Publik në Tiranë, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, deklaroi se rritja e biletës e abonesë për dy linjat në Kamëz, erdhi pikërisht për shkak të pamundësisë financiare për të mbuluar subvencionin e transportit publik.

“Tashmë grupi i interesit dhe shoqata e transportit, tashmë prej katër vitesh kanë kërkuar nga institucionet që të ketë një plan masash për transportin publik se si duhet të funksionojë dhe ku duhet të ndërhyhet.

Bashkia Tiranë prej më shumë se 3 vitesh ka një subvencion për transportin publik. Bashkia Kamëz në këtë rast jo. Grupi i interesit paraqiti plane dhe hartime biznesi gjendjen financiare të operatorit në këtë moment, situatën e vështirë ekonomike, etj.

Gjatë diskutimeve dhe tryezave të përbashkëta me Këshillin Bashkiak, ne kërkuam subvencion të transportit publik, në pamundësi financiare për të mbuluar subvencionin e transportit publik për shkak të buxhetit të bashkisë Kamëz.

U mendua dhe u gjet zgjidhja për rritjen e transportit publik vetëm për dy linjat të cilat kalojnë mbi 8 km.

Këto janë dy linjat më të zgjatura në Kamëz. Për pjesën tjetër nuk ka ndryshuar as çmimi i biletës dhe as i abonesë së përgjithshme”, deklaroi Memaj.

Pyetur për impaktin që rritja e abonesë dhe çmimit të biletave për dy linjat në Kamëz ka shkaktuar te qytetarët, Memaj theksoi se ky vendim ishte i domosdoshëm pasi rritja e fundit ka ndodhur rreth 10 vite më parë. Në këtë kuadër, ai shtoi se, në ndërhyrjen e fundit që është bërë në çmimin e biletave në 2016-ën, edhe paga minimale ka qenë më e ulët dhe çmimet e shportës gjithashtu.

“Arsyet janë ekonomike dhe mungesa e subvencionit të transportit publik nga ana e institucionit vendor në këtë rast.

Nga diskutimet dhe një analizë e kostos faktike, në çdo moment dilte që transporti publik duhet të subvencionohet dhe ajo që është kërkuar nga operatorët ka qenë një formë tjetër e subvencionit apo çmimeve të tjera. Ne kemi kërkuar që të preket dhe abonoja e përgjithshme në nivel po aq sa dhe të biletës. Edhe operatorët e tjerë, të Kamzës, kanë kërkuar çmim të njëjtë siç janë dhe dy linjat, por këshilli bashkiak dhe grupi i ngritur për këtë punë së bashku me ne, menduan që vetëm dy linjat më të gjatë të kenë ndryshim çmimi. 10 lekë është me TVSH, është çmim i rritur por për operatorin është 8.3 lekë sepse TVSH zhvishet në momentin që ne marrim një biletë pa TVSH dhe e shesim me TVSH.

Duke qenë se transporti publik është në një krizë të theksuar, është dashur ndërhyrja me rritjen e çmimit të biletës, pasi ndërhyrja e fundit që është bërë në ndryshimin e çmimit ka qenë në 2016-ën.

Jemi koshient që para 10 vitesh nuk marrim asnjë nga çmimet e shportës që kemi marrë në 2016-ën.

Na është dyfishuar dhe paga minimale, janë rritur dhe çmimet e mirëmbajtjes së karburantit etj,. U desh dhe ndërhyrja me një çmim që nuk mendoj se i rëndon qytetarët”, tha ai.

Memaj vuri theksin te nevoja për një ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, duke e pajisur atë me korsi të dedikuara për autobusët.

“Padyshim që çdo një lek që shtohet, ndikon në xhepin tonë. Nëse nuk ke një subvencion, duhen mekanizma të tjerë financiar për ta mbajtur në këmbë dhe që të funksionojë transporti,

Nevojitet dhe një ndërhyrje në infrastrukturë. Na duhen korsi të dedikuara”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme