Rritje e të ardhurave buxhetore, Malaj: Menaxhim më i mirë financiar, mbi 200 mld lekë të ardhura në tre muaj

Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një konferencë për media deklaroi se tre muajt e parë të vitit 2026 kanë shënuar një performancë fiskale dhe ekonomike pozitive dhe të qëndrueshme.
Sipas tij, treguesit kryesorë ekonomikë dëshmojnë rritje të të ardhurave buxhetore, përmirësim të administrimit fiskal, rritje të formalizimit të ekonomisë, si dhe rritje të punësimit dhe aktivitetit të biznesit.
“Rezultatet tregojnë një menaxhim më të kujdesshëm financiar dhe efektet konkrete të politikave të ndërmarra për garantimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe mbështetjes së biznesit dhe qytetarëve”, u shpreh Malaj.
Ministri bëri të ditur se të ardhurat totale për periudhën janar–mars kanë arritur në 205.1 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 105.8% të planit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 13.3%, ose rreth 250 milionë euro më shumë.
Ai theksoi gjithashtu se janë mbledhur 110 milionë euro më shumë se parashikimi për këtë periudhë.
Sipas tij, rritja e të ardhurave nuk lidhet me rritje të taksave, por me përmirësimin e administrimit tatimor dhe doganor, si dhe zbatimin më të saktë të strategjisë afatmesme të të ardhurave.
Në strukturën e të ardhurave, peshën kryesore e zënë tatimet me 37.9%, ndjekur nga doganat me 25.8% dhe kontributet e sigurimeve shëndetësore e shoqërore me 22.3%. Të ardhurat nga administrata tatimore kanë arritur në 77.7 miliardë lekë për periudhën e raportuar.
“Të ardhurat totale janar-mars, arritëm të realizonim 205.1 mld lekë. Këto të ardhura janë realizuar në masën 105.8% të planit të periudhës, mblodhën 13.3% më shumë të ardhura se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të ardhurat përgjatë këtij mujori janë 250 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Kemi 110 milionë euro më shumë të ardhura se sa kishim planifikuar për këtë periudhë të vitit.
Rritja e të ardhurave, nuk ka ardhur si rezultat i rritjes së taksave apo tatimeve, por si rezultat i një mirëadministrimi më të mirë tatimor dhe doganor, i një implementimi më korrekt të strategjisë afatmesme të të ardhurave.
Peshën më të madhe në këto të ardhurave e zënë tatimet me 37.9% , e pasuar me doganat në masën 25.8%, nga kontributet e sigurimeve shëndetësore e shoqërore në masën 22.3%.
Të ardhurat nga administrata tatimore në shumën 77.7 mld lekë”, deklaroi Malaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




