RTSH ka siguruar ekskluzivitetin e Superligës, Hoxhalli: Po marrim masa për transmetimet e Kombëtares, ndonëse ka konkurrencë të fortë

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjatë raportit vjetor për vitin 2024, Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, theksoi nevojën urgjente për një menaxhim më të mirë të burimeve, rritje të transparencës dhe një vizion të qartë strategjik për transmetuesin publik. Raporti zbuloi se RTSH është përballur me 84 procese gjyqësore me një barrë financiare potenciale mbi 200 milionë lekë.

Hoxhalli vuri në dukje disa pika të dobëta në menaxhimin e vitit të kaluar. Ndër to, ai përmendi se plani afatmesëm dhe afatgjatë nuk u hartua gjatë 2024-ës, ndërsa procesi i digjitalizimit të arkivës ka ecur me ritme të ngadalta.

Në lidhje me mbulimin e punës së Kuvendit, ndonëse u bë progres, mungesa e një redaksie të dedikuar kufizoi pasurimin e programacionit analitik, siç kërkohej nga Kuvendi.

Vizioni dhe përmbajtja programore

Pavarësisht sfidave, Hoxhalli riafirmoi angazhimin e RTSH për të operuar si një transmetues publik bazuar në tre shtylla: Informim të paanshëm, edukim i publikut dhe argëtim me vlera.

Ai paraqiti shpërndarjen e minutazhit në kanalin kryesor, RTSH 1, duke treguar se programet argëtuese dominojnë me 28% të minutazhit total, ndërsa programet informative zënë 12% dhe ato politike 10.3%.

Pavarësia editoriale dhe të drejtat sportive

Drejtuesi i Këshillit theksoi se pavarësia editoriale dhe paanshmëria janë ruajtur, me mbulim “live” të ngjarjeve kombëtare dhe rajonale, duke garantuar akses të barabartë për minoritetet. Gjithashtu, u konfirmua se RTSH mban ekskluzivitetin e Superligës dhe po ndërmerren masa për sigurimin e të drejtave të kombëtares, përballë konkurrencës së lartë në treg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme