Ruajtja e farërave autoktone, pasuri për bujqësinë e Korçës dhe siguri për prodhimin vendas
Rajoni i Korçës, i njohur për traditën e gjatë bujqësore dhe tokat pjellore, po përballet me nevojën për të ruajtur dhe përforcuar përdorimin e farave autoktone, si një mënyrë për të garantuar cilësinë dhe origjinalitetin e prodhimeve bujqësore.
Këto fara, të trashëguara ndër breza, janë të përshtatura në mënyrë natyrore me kushtet klimatike dhe tokësore të zonës, duke ofruar rendiment të qëndrueshëm dhe rezistencë më të madhe ndaj sëmundjeve dhe ndryshimeve klimatike.
Pedagogu i fakultetit të Bujqësisë në Universitetin “Fan S.Noli” në Korçë Adrian Maho thekson se farat autoktone luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit dhe në uljen e varësisë nga farat e importuara, të cilat shpesh kërkojnë më shumë inpute bujqësore.
“Duhet të ruajmë resurset gjenetike autoktone të rajonit tonë. Ato janë një rezervë biokulturore e arritur si pasojë e kontributit të shumë brezave, dhe në momente të caktuara mund të humbasin, dhe humbja në këto momente është e pariparueshme. Është një problematikë që kërkon zgjidhje”, tha Maho.
Për fermerët e zonës, përdorimi i këtyre farave përfaqëson jo vetëm një përfitim ekonomik, por edhe një mënyrë për të ruajtur identitetin bujqësor të rajonit.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




