Rusia akuzon Ukrainën se ka shkelur armëpushimin për Pashkët

Europë | 7 muaj më parë

Guvernatori i rajonit rus të Kurskut, Alexander Khinshtein, akuzoi sot Ukrainën se ka shkelur armëpushimin e Pashkëve, duke thënë se Kievi kreu një sulm me dron në qytetin e Lgovit.

Në një deklaratë në Telegram, Khinshtein pretendoi se Ukraina sulmoi një stacion karburanti, duke plagosur tre persona, përfshirë një fëmijë.

“Sulmi i fshehtë i armikut ndodhi pas orës 16:00 gjatë armëpushimit të deklaruar të Pashkëve”, tha ai.

Veçmas, në rajonin rus të Belgorodit, guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se Ukraina vazhdoi të godasë rajonin, duke plagosur dy civilë.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit ukrainas të Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha, pretendoi se mes armëpushimit të Pashkëve, Rusia kreu më shumë se 60 sulme me dronë dhe artileri në dy distrikte të rajonit, duke plagosur një person.

Koha e saktë e sulmeve nuk u specifikua në deklaratën e guvernatorit.

Verifikimi i pavarur i këtyre pretendimeve është i vështirë për shkak të konfliktit në vazhdim.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të shtunën se një armëpushim 32-orësh me Ukrainën hyri në fuqi duke filluar nga ora 16:00 me kohën e Moskës.

Armëpushimi u shpall të enjten nga Presidenti rus Vladimir Putin, i cili urdhëroi komandën ushtarake të përgatitej për zbatimin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme