Rusia, kërcënim afatgjatë për NATO-n – Mark Rutte: Vendet anëtare duhet të rrisin prodhimin e armëve dhe municioneve

Botë | 12 muaj më parë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi këtë të enjte se kërcënimi që paraqet Rusia nuk do të mbarojë me Ukrainën. Ai theksoi se Moska po përgatitet për një “konfrontim afatgjatë” me aleancën dhe partnerë të tjerë globalë.

Rutte foli në Forumin NATO-Industri në Bukuresht, ku u takua me drejtues të sektorit industrial të mbrojtjes. Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të vendeve anëtare për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035. Sipas tij, kërcënimet që përballon aleanca janë reale dhe afatgjata, dhe pushtimi i Ukrainës është vetëm shembulli më i dukshëm.

Rreziku rus nuk do të zhduket pas përfundimit të luftës dhe Moska do të mbetet një forcë destabilizuese në Evropë dhe në botë. Ai paralajmëroi se Rusia nuk vepron vetëm, por bashkëpunon me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin për të forcuar kapacitetet ushtarake.

Rutte tha se ky bashkëpunim industrial i mbrojtjes është në nivele të larta dhe përgatitet për një sfidë afatgjatë. Ai bëri thirrje që industria të përparojë dhe të prodhojë më shumë armë për aleancën.

Sasia është thelbësore, sepse vetëm kështu NATO mund të jetë më e fortë se ata që synojnë ta dobësojnë. Sa i përket municioneve, situata ka ndryshuar, pasi Rusia më parë prodhonte më shumë se të gjithë aleatët e NATO-s së bashku. Tani, prodhimi i NATO-s ka arritur të barazojë dhe tejkalojë kapacitetet e Moskës, tha Rutte.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme