Rutte: NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, riafirmoi se angazhimi i NATO-s për mbrojtjen kolektive është i palëkundur dhe se aleanca është e gatshme dhe e vendosur të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
“Ne nuk duam të shohim një vazhdim të këtij modeli të rrezikshëm nga Rusia, të qëllimshëm apo jo, por ne jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm të vazhdojmë të mbrojmë çdo centimetër të territorit aleat”, tha Rutte.
Në një konferencë për shtyp pas takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku diskutoi mbi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia javën e kaluar, Rutte tha se incidentet ruse nuk do të tolerohen dhe reagimi ndaj tyre do të vendoset në kohë reale, bazuar në informacionin e inteligjencës.
Në rastin e Estonisë, avionët rusë u konsideruan “pa kërcënim të menjëhershëm” dhe u shoqëruan jashtë hapësirës ajrore pa ndërhyrje më të fortë, ndërsa reagimi i NATO-s u cilësua “si i shpejtë dhe vendimtar”.
“Të gjitha vendimet do të merren në kohë reale, bazuar në inteligjencën e disponueshme në lidhje me kërcënimin që paraqet avioni”, tha ai.
Rutte u pyet gjithashtu për incidentin e dronëve në Kopenhagen, duke theksuar se është shumë herët për të konkluduar lidhje me Rusinë, ndërkohë që Danimarka po vlerëson ngjarjen dhe NATO është në kontakt të ngushtë me autoritetet daneze.
Ai përfundoi duke theksuar se mesazhi për Rusinë është i qartë “NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleatëve”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




