Sadushi pret Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Holandës për të thelluar bashkëpunimin gjyqësor

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Sokol Sadushi, priti sot Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Holandës, zj. Dineke de Groot.

Përmes një njoftimi për mediat, mësohet se takimi u zhvillua në ambientet e Gjykatës së Lartë dhe synoi të nxisë dialogun institucional dhe shkëmbimin e përvojave mes dy gjykatave.

Gjatë takimit, z. Sadushi prezantoi prioritetet e tij për bashkëpunimin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërgjyqësor në kuadër të zhvillimeve të jurisprudencës evropiane dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për formalizimin e raporteve institucionale.

Ai vuri gjithashtu në dukje nevojën për unifikimin metodologjik të instrumenteve të harmonizimit, që do të garantojë një praktikë gjyqësore më koherente, dhe zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe stafit të gjykatës, veçanërisht në fushën e dixhitalizimit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, për të siguruar drejtësi efektive dhe të besueshme për publikun.

Kryetarja De Groot vlerësoi rëndësinë e thellimit të dialogut dhe shkëmbimeve të vazhdueshme ndërmjet institucioneve të drejtësisë, të cilat forcojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike.

Përveç takimit mes kryetarëve, u zhvillua edhe një tryezë e përbashkët mes gjyqtarëve holandezë dhe trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë. Diskutimet u fokusuan tek shkëmbimi i përvojave në gjykimin kasacional, me qëllim rritjen e cilësisë së jurisprudencës dhe adresimin e sfidave të përbashkëta, veçanërisht në ndërveprimin e gjyqësorit kombëtar me atë ndërkombëtar.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme