Sadushi takon në Tiranë Anette Kramme: Kuadri ligjor gjerman, model për praktikën gjyqësore shqiptare

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, së bashku me Zëvendëskryetarin Ilir Panda, priti sot në Tiranë zj. Anette Kramme, anëtare e Bundestag-ut Gjerman dhe Sekretare Parlamentare e Shtetit pranë Ministres së Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit ai prezantojë arritjet konkrete të institucionit që drejton duke theksuar afërsinë mes kuadrit ligjor shqiptar dhe atij gjerman, si një referencë të rëndësishme në praktikën gjyqësore.
Në një reagim në rrjetet sociale, Sadushi nënvizoi se Gjykata e Lartë ka arritur të ulë ndjeshëm backlog-un e çështjeve, të rrisë cilësinë e vendimeve dhe transparencën, duke reflektuar kështu një rritje të besimit të publikut, veçanërisht në kontekstin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e saj, Kramme shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke e cilësuar këtë proces si një angazhim që shkon përtej dimensionit ekonomik dhe lidhet ngushtë me përputhjen e vlerave evropiane.
Ajo u ndal edhe tek sfidat e Gjykatës së Lartë pas Reformës në Drejtësi, të cilën e përshkroi si një ndërhyrje të thellë shoqërore që kërkon vullnet, konsistencë dhe guxim institucional.
Në cilësinë e Kryetares së Fondacionit IRZ, Kramme shprehu interes për bashkëpunimin me Gjykatën e Lartë dhe funksionimin e platformës JUDIX, një instrument modern dhe i dobishëm për juristët shqiptarë, i mundësuar falë mbështetjes së IRZ. Sadushi shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje dhe vuri në dukje rëndësinë e vijimit dhe zgjerimit të projekteve të përbashkëta.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, si dhe përfaqësues të tjerë të Fondacionit IRZ.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




