Samiti 2-ditor i BE, Mishel: Sigurim të shpejtë të ndihmës ndaj Ukrainës. Armëpushim urgjent në Lindjen e Mesme

Botë | 3 vite më parë

Liderët e Bashkimit Evropian do të mblidhen në një samit dy ditor në Bruksel më 21-22 mars.

Presidenti i Këshillit Evropian, Çarls Mishel (Charles Michel), në një letër drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së para samitit, ka bërë me dije disa ndër pikat që do të jenë pjesë e diskutimeve në këtë samit, disa prej të cilave janë mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, situata në Lindjen e Mesme dhe procesi i zgjerimit.

“Në vitin e tretë të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ne përballemi me një moment kyç. Urgjenca, intensiteti dhe vendosmëria e palëkundur janë të domosdoshme. Detyra jonë kryesore është sigurimi i shpejtë i ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe, duke u mbështetur në iniciativat e fundit si ajo e Çekisë, prokurimi i shpejtë dhe dërgimi i municioneve në Ukrainë. Ky Këshill Evropian do të jetë një mundësi për të forcuar dhe përshpejtuar këto përpjekje. Për më tepër, ne duhet të fokusohemi në zbatimin efektiv të sanksioneve tona, si dhe në avancimin e përpjekjeve tona për përdorimin e fitimeve të papritura nga asetet e pamobilizuara”, shkruhet në letër.

Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Mishel dënon sulmet e 7 tetorit, ndërsa kërkon armëpushim urgjent të qëndrueshëm për mbrojtjen e civilëve.

Është e domosdoshme që të trajtojmë situatën në Lindjen e Mesme. Mizoritë e sulmeve të 7 tetorit dhe lufta që pasoi në Gaza kanë kaluar pragun e çnjerëzimit. Shumë civilë kanë humbur jetën. Shumë jetë të pafajshëm janë në rrezik për shkak të situatës katastrofike humanitare në Gaza dhe urisë së furishme. E drejta ndërkombëtare duhet të respektohet plotësisht. Një armëpushim i qëndrueshëm nevojitet urgjentisht për të mbrojtur civilët, për t’i lejuar pengjet të kthehen të sigurt dhe për të siguruar që ndihma humanitare mund të ofrohet sipas nevojës. Përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin rajonal duhet të rriten, veçanërisht në Liban dhe Detin e Kuq. Në fund të fundit, Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis izraelitëve dhe palestinezëve, me shtetin e Izraelit dhe një shtet demokratik, sovran dhe të zbatueshëm të Palestinës, që jetojnë krah për krah në paqe, siguri dhe njohje reciproke”, thuhet në letër.

Ky i fundit ka sugjeruar përgatitjen e një bilanci për zgjerimin dhe reformat.

“Unë sugjeroj gjithashtu që të bëjmë një bilanc të përgatitjeve për zgjerimin dhe reformat, duke pasur parasysh se të dy drejtimet duhet të përparojnë paralelisht për të siguruar që si Shtetet Anëtare të ardhshme ashtu edhe BE-ja të jenë gati deri në momentin e pranimit.

Ne do të shqyrtojmë gjithashtu gjendjen e migrimit dhe do të trajtojmë çështje të ndryshme të marrëdhënieve me jashtë”, shkruan Mishel.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme