Samiti i Digjitalizimit Rajonal, Muçaj: Avancojmë shërbimet dhe sigurinë, Kapetanoviç: Ngushtojmë hendekun me BE-në

Ekonomi | 50 minuta më parë

Digjitalizimi dhe siguria kibernetike po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në procesin e integrimit evropian. Në Samitin e 8-të Digjital të rajonit, përfaqësuesit e gjashtë vendeve diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe përafrimin me agjendën digjitale të Bashkimit Evropian. Teksa Shqipëria ka kaluar online pjesën më të madhe të shërbimeve duke vijuar edhe jashtë kufijve.

“Shqipëria ndodhet në vendin e parë në rajon në shumë elemente. Çështja e shërbimeve qeveritare online, ofrimi i këtyre shërbimeve, paraqitja e dokumenteve me sigël elektronike, të përdorshme, pra me vlerë ligjore online, është tashmë një realitet mbi të cilin ne po punojmë shumë, në mënyrë që të investojmë për më tepër, për më mirë dhe për një akses më të madh për shtetasit shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë”, u shpreh Enkelejda Mucaj, Zv. Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Por zgjerimi i përdorimit të teknologjisë shoqërohet edhe me rrisqe për sigurinë kibernetike të cilat nxjerrin në pah rëndësinë e mbrojtjes së sistemeve digjitale.

“Vetëm vitin e fundit janë bërë mbi 30 monitorime nga Agjencia jonë për Sigurinë Kibernetike në subjekte të ndryshme. Më shumë se 350 subjekte të tjera janë në monitorim pasiv dhe, mbi të gjitha, po punohet për të rritur kapacitetet e kësaj agjencie”, tha ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanovic, nënvizoi se  synimi është ngushtimi i hendekut ekonomik mes BE- së dhe vendeve të rajonit.

“Pa tranzicion dixhital ekonomia nuk mund të ketë vlerë të shtuar dhe kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë. Të rrisim produktivitetin dhe qëllimi final është të mbyllim hendekun mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kapetanovic.

Një tjetër arritje e bashkëpunimit rajonal është heqja e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Hapi i ardhshëm synon zgjerimin e këtij bashkëpunimi edhe me vendet e Bashkimit Europian.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme