Përafrimi me standardet e BE-së, Komisioni për Ekonominë kalon për seancë plenare paketen e re ligjore

Ekonomi | 45 minuta më parë

Nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat mori në shqyrtim dhe miratoi katër projektligje të rëndësishme në mbledhjen e tij të radhës, duke i kaluar ato për votim në seancën plenare.

Fokus i diskutimeve ishin përditësimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë, përmirësimi i kuadrit për shërbimet e pagesave, si dhe fuqizimi i mekanizmave parandalues kundër pastrimit të parave në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë me Gjermaninë dhe Lituaninë

Në cilësinë e komisionit përgjegjës, trupa parlamentare shqyrtoi fillimisht dy nisma ndërkombëtare të prezantuara nga zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes së vitit 2010 me Gjermaninë dhe ratifikimin e marrëveshjes me Lituaninë.

Memeti sqaroi se marrëveshja me Gjermaninë zbatohet që prej vitit 2011, por zhvillimet ekonomike dhe standardet e reja tatimore të OECD-së kërkonin përditësimin e saj. Ai nënvizoi se dokumenti nuk vendos taksa të reja, por modernizon rregullat ekzistuese. Ndërkohë, marrëveshja me Lituaninë bëhet e 24-ta e këtij lloji me vendet anëtare të BE-së, duke përmbushur rekomandimet e Kapitullit 16 “Tatimet”.

Relatorja e çështjes, deputetja Zamira Sinaj, vlerësoi se këto projekte krijojnë një mjedis më të favorshëm për investimet e huaja dhe nuk sjellin efekte shtesë financiare për buxhetin e shtetit. Pas diskutimeve, të dyja nismat u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Në pjesën e fundit të mbledhjes, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Të ftuar në këtë session ishin zëvendësministri Andi Memeti dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi.

Memeti theksoi se drafti synon rritjen e integritetit të sistemit financiar dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Kapitulli 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”. Projektligji qartëson rolet institucionale, forcon shkëmbimin e informacionit, garanton pavarësinë operacionale të Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe përcakton detyrimet për subjektet financiare e jofinanciare.

Për t’u dhënë kohë institucioneve dhe subjekteve të detyruara të përshtaten me standardet e reja evropiane, parashikohet një periudhë tranzitore deri më 1 janar 2028, datë në të cilën ligji do të hyjë plotësisht në fuqi.

Relatorja e projektligjit, deputetja Antoneta Dhima, nënvizoi rëndësinë e këtij kuadri të ri për rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së transaksioneve financiare, duke ftuar kolegët ta votonin atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në tërësi dhe e përcolli për shqyrtim në seancë plenare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme