Samiti i NATO-s, ministri Hoxha takim me homologen e Kanadasë: Forcim i bashkëpunimit për mbrojtjen dhe sigurinë

Politikë | 4 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Anita Anand, në margjinat e Samitit të 36-të të NATO-s që po zhvillohet në Ankara të Turqisë.

Gjatë takimit, të dy ministrat u dakordësuan për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik mes Shqipërisë dhe Kanadasë, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.

Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Në këtë kontekst, u veçua nisja e fluturimeve direkte midis Tiranës dhe Torontos, të cilat pritet të kontribuojnë ndjeshëm në forcimin e lidhjeve njerëzore, shkëmbimeve kulturore dhe mundësive ekonomike mes dy vendeve.

Një tjetër temë e rëndësishme e bisedimeve ishte iniciativa për krijimin e Bankës së Mbrojtjes, Sigurisë dhe Qëndrueshmërisë.

“Ne ramë dakord që krijimi i Bankës së Mbrojtjes, Sigurisë dhe Qëndrueshmërisë, që synon krijimin e një mekanizmi financiar shumëpalësh për të mbështetur zhvillimin e aftësive të mbrojtjes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë, do të japë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e objektivave tona të përbashkëta”, shkroi ministri Hoxha në platformën X.

Ministrat Hoxha dhe Anand shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Evropë, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të të dy vendeve për Ukrainën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme