Samiti i NATO-s në Hagë, Rubio: Trump u bëri presion aleatëve të rritnin shpenzimet

Sekretari i Shtetit Marco Rubio e quajti takimin e këtij viti të NATO-s si “samiti i Trumpit”, ndërsa aleanca përgatitet të përmbushë kërkesën e Presidentit amerikan për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
“Do ta quaja këtë samitin e Trumpit”, tha Rubio duke shtuar se presioni i Trump për të rritur shpenzimet në mandatin e tij të parë e ka rigjallëruar aleancën – për pjesën më të madhe.
“Kombinimi i presionit nga Presidenti Trump në administratën e tij të parë dhe më pas një pushtimi të plotë dhe lufte në Evropë nga Vladimir Putin ka bërë që tani pothuajse çdo vend në – çdo partner në aleancën e NATO-s, të zotohet të arrijë atë shifër prej 5 përqind, me përjashtim, për fat të keq, të Spanjës”, u shpreh Rubio në një intervistë për ‘Politico’.
Spanja është kritikuar në samitin e këtij viti pasi kryeministri Pedro Sánchez kundërshtoi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.
“Është një problem i madh. Nuk mendoj se marrëveshja që ka arritur Spanja është e qëndrueshme dhe, sinqerisht, i vendos ata në një pozicion shumë të vështirë në lidhje me aleatët dhe partnerët e tyre të tjerë”, tha Rubio.
Ndërkohë, sipas tij, ndikimi i Trumpit do t’i sjellë dobi aleancës.
“Nëse të gjithë i përmbahen angazhimit të tyre, do të jetë një aleancë shumë më e fortë me partnerë më të aftë. Kjo do t’u lejojë Shteteve të Bashkuara të jenë ende një anëtar i gjallë dhe i fortë i saj, anëtari më i madh i saj, por edhe të rialokojnë burimet në pjesë të tjera të botës pa i hequr forcën aleancës”, deklaroi më tej Rubio.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




