Samiti i Procesit të Berlinit-Dauti: Siguria dhe emigracioni, 2 sfidat me të cilat po përballet Britania e Madhe
Samiti i Procesit të Berlinit, i mbajtur dje në Londër nën drejtimin e Britanisë së Madhe, ka nxjerrë në pah dy sfida kryesore për qeverinë britanike: siguria rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe kriza e emigracionit të parregullt.
Në eventin që mblodhi liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane si Gjermania, Austria, Kroacia dhe të tjerat, u konsiderua nga kryeministri britanik Keir Starmer si një hap të rëndësishëm për “sigurinë, migrimin dhe rritjen ekonomike”, duke nënvizuar nevojën për të luftuar ndikimin rus dhe krimin e organizuar.
Duke iu referuar këtij samiti, gazetari Daut Dauti u shpreh për RTSH24 se kjo ishte një “iniciativë britanike që kaloi me sukses”.
Sipas Dautit, “ky samit i cili u mbajt në Londër ishte kontribut dhe iniciativë e Britanisë së Madhe që trajtohej tema e sigurisë në Ballkan dhe çështja e migrimit. Rezultati apo iniciativa britanike duket se ka kaluar me sukses.
Ai u ndal te çështja e sigurisë, ku theksoi se për britanikët ndoshta duhen çështje të largëta, si siguria në Ballkanin Perëndimor por sipas tij vërteta është ndryshe teksa kujtoi se “ndërhyrja ushtarake në Kosovë ishte iniciativë apo vepër e anglo-amerikane. Ishin ata që i prinë kësaj lufte dhe që harxhuan më së shumti për këtë luftë. Prandaj ata nuk duan që kjo të përsëritet”
Sa i përket emigracionit, Dauti e portretizoi atë si një “problem serioz të brendshëm” për Britaninë, duke lidhur atë me premtimet e Brexit-it.
“Ardhja e azilkërkuesve jo të ligjshëm në Britaninë e Madhe… Premtimi i Britanisë së Madhe ka qenë që nëse dalim nga Bashkimi Evropian atëherë do të ndalet edhe ardhja e të huajve. Ajo që ndodhi ishte një dështim. Numri i të ardhurve u shumëfishuar”, tha ai.
Ai shpjegoi se Londra po kërkon zgjidhje duke ndaluar rrjedhën e migrantëve në Ballkan, veçanërisht nëpërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Nëse nuk ndalet ky proces, atëherë është do të ndodhë kthimi i këtyre njerëzve në rast se ju dështon kërkimi i azilit. Kjo është arsyeja që britanikët kanë kërkuar që Shqipëria të pranojë kthimin e azilkërkuesve”, deklaroi më tej Dauti për RTSH24.
Britania ka shpallur një regjim të ri sanksionesh kundër kontrabanduesve të njerëzve, si dhe marrëveshje operative me vende si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova për të thyer modelin e biznesit të grupeve kriminale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




