Samiti, Kumbaro: Sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë, komplekse. Nevojiten politika të reja dhe kurrikula të standardizuara

Politikë | 7 muaj më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri thirrje për një qasje të re dhe politika të strukturuara për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë, duke paralajmëruar se brezat e rinj rrezikojnë ta humbasin gjuhën pa ndërhyrje konkrete dhe afatgjata.

Gjatë fjalës së saj në Samitin e Diasporës, Kumbaro theksoi se sfidat janë bërë më komplekse krahasuar me vite më parë, pasi tashmë nuk mjafton më transmetimi natyror i gjuhës nga një brez te tjetri. Sipas saj, ndërsa brezi i parë e ruan gjuhën spontanisht, brezi i dytë ka nevojë për mbështetje, ndërsa i treti përballet me rrezikun real të humbjes së saj.

“Sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë janë bërë shumë më komplekse se 20 apo 10 vite më parë. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një transmetim të natyrshëm të gjuhës nga njëri brez te tjetri, por me nevojën për ndërhyrje të strukturuar arsimore. Brezi i parë e ruan gjuhën spontanisht, brezi i dytë ka nevojë për mbështetje, e brezi i tretë rrezikon ta humbasë gjuhën nëse nuk ndërtojmë politika dhe instrumente të qarta. Kjo është arsyeja pse në këtë Samit flasim për një qasje të re, kjo është arsyeja pse diaspora duhet parë edhe si një realitet arsimor që kërkon politika të posaçme, sistematike dhe afatgjata. Sfida nuk qëndron vetëm te ruajtja e gjuhës, por ed e te mënyra sesi ajo mësohet dhe si transferohet në një epokë të re, në epokën digjitale. Mësimi në distancë, aplikacionet edukative dhe burimet online kanë krijuar mundësi të reja për përhapjen e gjuhës shqipe përtej kufijve gjeografikë”, tha ajo.

Kumbaro nënvizoi se diaspora duhet trajtuar si një realitet arsimor që kërkon politika të posaçme, sistematike dhe afatgjata, duke shtuar se sfida nuk lidhet vetëm me ruajtjen e gjuhës, por edhe me mënyrën sesi ajo mësohet dhe përshtatet me zhvillimet e epokës digjitale.

Kumbaro propozoi krijimin e një Agjencie Kombëtare për Gjuhën Shqipe dhe theksoi nevojën për ndryshime thelbësore në qasjen pedagogjike. Sipas saj, mësimi i shqipes si gjuhë e prejardhjes nuk i përgjigjet plotësisht nevojave të nxënësve që jetojnë jashtë një mjedisi shqipfolës.

“Por këto mundësi nuk janë të mjaftueshëm nëse nuk mbështeten mbi një kornizë të qartë standardesh. Pa një qasje të unifikuar rrezikojmë që mësimdhënia e gjuhës shqipe në diasporë të mbetet e pabarabartë. Kemi nevojë për një Agjenci Kombëtare për Gjuhën Shqipe. Një ndryshim thelbësore në qasjen pedagogjike. Mësimi i gjuhës shqipe si gjuhë e prejardhjes nuk i përgjigjet nevojave të nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe, por nuk jetojnë në një mjedis natyror të gjuhës shqipe. Për këta nxënës gjuha duhet të mësohet me metoda të strukturuara, progres të qartë dhe objektiva të matshëm. Prandaj, standardizimi në këtë fazë nënkupton ndërtimin paralel të dy shtyllave, ruajtjen dhe zhvillimin e kurrikulave të gjuhës shqipe si gjuhë e trashëgimisë dhe njëkohësisht krijimin e një kurrikule të re për gjuhën shqipe si gjuhë e dytë”, theksoi Kumbaro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme